Zaev vazhdon të jetë optimist për nisjen e bisedimeve me BE-në

Pas qëndrimeve të një dite më parë të presidentit bullgar Radev, fjala e urtë “Shpresa vdes e fundit” mund të përshkruajë më së miri pritjet e Qeverisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kryeministri Zaev tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk përbën problem, transmeton Alsat.

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, qytetarëve tanë që sa i takon përkatësisë etnike konsiderojnë se janë bullgarë, absolutisht asnjëherë nuk ka qenë problem në vendin tonë edhe tani nuk besoj se është problem.

Kushtetuta jonë e njeh përkatësitë e ndryshme etnike, ku ne i përmendim edhe maqedonasit, shqiptarët, serbët, turqit, romët, vllahët, boshnjakët dhe të tjerët. Për ne nuk është problem të përmendim edhe kroatët, malazezët, bullgarët dhe të tjerë, për sa kohë mendojnë se duhet të përmenden.

Por, sigurisht që kjo nuk do të thotë se ne tani duhet të hapim Kushtetutën”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër i vendit.

Për ministrin e Jashtëm, Osmani, bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë vetëm atëherë kur vendi të nisë bisedimet dhe kur do të bëhen ndryshimet për anëtarësim në BE.

“Republika e Bullgarisë në Kushtetutën e saj, për dallim nga ne, nuk e njeh organizimin e qytetarëve në bazë të përkatësisë etnike. Prandaj, reciprociteti në këtë rast nuk është i mundur. Maqedonia e Veriut është e detyruar në bazë të marrëveshjes se nuk do të përzihet në organizimin e brendshëm të Republikës së Bullgarisë, përkatësisht në këtë rast në rendin kushtetues”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Përderisa kryeministri Zaev shpreson në tejkalimin e ngërçit deri më 14 dhjetor kur do të mbahet samiti i rregullt i BE-së, kancelarja gjermane Merkel Kancelarja gjermane tha se nuk pret që dallimet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë të tejkalohen tani, pasi Bullgaria së shpejti do të ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.