Zaev: Takim i ri i liderëve mund të mbahet më së voni deri në fund të majit

Nuk kemi komunikim të drejtpërdrejtë mes nesh. Besoj se do të mbahet takim i liderëve, për shkak se mundësia për mbajtjen e takimit të liderëve me të vërtetë është deri në skadimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kur të kalojë gjendja e jashtëzakonshme, nuk dihet nëse do të ketë të re ose jo, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ka komunikim me liderin e opozitës dhe nëse do të ketë takim të ri të liderëve.

Sipas Zaevit, gjithçka që mund të bëhet rreth marrëveshjes, është deri më 30 maj dhe nëse nuk ka shpallje të gjendjes së re të jashtëzakonshme, prej 31 majit fillojnë të rrjedhin 22 ditët e mbetura nga afatet zgjedhore, që të mbahen zgjedhjet më 21 qershor.

I pyetur nëse ende mbetet në qëndrimin që zgjedhjet të mbahen më 21 qershor ose megjithatë është i mundur ndonjë kompromis, nëse Komisioni për sëmundje infektive vlerëson se është shumë herët, Zaev u përgjigj se nëse autoritetet shëndetësore dhe ekspertët shëndetësorë thonë se është shumë herët, atëherë ky vendim do të respektohet deri në fund.

Ai shtoi se LSDM-ja dëshiron të arrijë marrëveshje me opozitën dhe të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

“Deri tani kemi arritur marrëveshje nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, për datën e zgjedhjeve, shpërbërjen e Parlamentit, të gjithë së bashku kemi parashtruar lista të kandidatëve, listat janë pranuar nga KSHZ-ja, shorti ka përfunduar dhe tërë kjo punë mbaroi. Duhet të përfundojnë edhe 22 ditët e mbetura. Mbetemi të hapur derisa mundemi, e ajo është 30 maji, deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe nëse nuk ka gjendje të re të jashtëzakonshme, kjo nuk varet nga Zaevi, Ahmeti ose Gashi, liderët e partive në pushtet, nuk varet nga ne, pasi bëhet fjalë për kushtetutë dhe ligj. Kushtetuta dhe ligji duhet të respektohen, pasi në një shtet demokratik kjo është prioritet”, tha Zaev.

Ai edhe një herë apeloi për zgjuarsi dhe të pranohet përgjegjësia nga ana e opozitës dhe të arrihet marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në kohë sa më të shpejtë të mundur, respektivisht para fillimit të verës.