Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev rrëfen se ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal” – tha Zaev në një intervistë në A2CNN.
Nuk e mohon se bashkimi në të ashtuquajturin Shengen Ballkanik synon shtimin e presionit ndaj Unionit Europian për të përshpejtuar procesin e integrimit.
“Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por, ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë” – tha Zaev. Shengeni Ballkanik është kundërshtuar gjerësisht nga Kosova e cila e ka konsideruar “hap të nxituar të Tiranës” dhe një ide që shkon në ndihmë të Serbisë që evokon ish-Jugosllavinë.