Zaev premton 100 mijë vende pune dhe 36 mijë denarë pagë mesatare


Njëqind mijë vende të reja pune në mandatin e plotë të ri katërvjeçar ka premtuar sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev duke e prezantuar programin ekonomik në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zaev ka paralajmëruar mbështetje prej 600 milionë euro për biznesin, ose 300 milionë euro mbështetje nga shteti për investime vendore dhe të huaja dhe 300 milionë mjete evropiane për zhvillim të ekonomisë vendore.

Me këtë, siç tha, papunësia e cila tani arrin 17.1 për qind do ta ulin nën tetë për qind, ose nën 20 për qind tek të rinjtë e cila për momentin është 35 për qind.

Kryetari i LSDM-së ka thënë se në mandatin e ri do të vazhdojë rritja e pagave, ose rroga mesatare do të rritet në 36 mijë denarë, ndërsa ajo minimale në 18 mijë denarë.

Një pjesë e planeve që i ka prezantuar janë edhe për 20 për qind paga më të larta të të punësuarve në arsim dhe shëndetësi, avancim të kushteve për punë në industrinë e IT-së në të cilin sektor premtojnë të ulin tatimin personal në zero për qind në vitin 2023, njofton Medial.

Sipas Zaevit, në 2.5 vitet e kaluara Qeveria ka bërë hap serioz në planin ekonomik, ndërsa politikat që zbatohen krijojnë hapësirë për rritje më të madhe.

“Pasojnë katër vite mandat për kërcim më të madh në ekonominë tonë, ulje rekord e papunësisë dhe rritje rekorde të rrogave. Edhe më shumë i mbështesim firmat vendore ndërsa me anëtarësimin në NATO bartim numër rekord të investimeve të huaja”, ka thënë Zaev.