Lideri i LSDM-së Zoran Zaev thotë që as nuk dëshirojnë, as nuk planifikojnë të formojnë shumicë të re në parlament, megjithëse mund ta bëjnë atë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për statusin e djeshëm të sekretarit të përgjithshëm të partisë së tij, Ljupço Nikollovski.
Nikollovski dje ka shkruar që “nëse në Kuvend vazhdohet me taktizim dhe nëse në çfarëdo mënyrë pamundësohet votimi i ligjeve të rëndësishme, e në veçanti i Ligjit për prokurori publike, Kodin zgjedhor, Ligjin për mbrojtje, shkarkimin e Mizrahit…, në atë rast ekziston mundësi reale për të formuar shumicë të re parlamentare, e pastaj edhe qeveri të qëndrueshme e cila do të organizojë zgjedhje të rregullta parlamentare”.
“As duam, as planifikojmë formim të shumicës, që gjithsesi është e sigurt. E dini që kjo është e mundur që ta bëjmë, për shkak se jemi para sigurimit të 80 deputetëve, e lëre më shumicës prej 61 deputetëve. Mirëpo, nuk dëshiroj askush ta kuptojë këtë si kërcënim. Duam të ketë zgjedhje më 12 prill dhe parlamenti të shpërndahet me kohë. Besoj që Ligji për prokurori publike do të miratohet”, deklaroi Zaev, i cili sot me Nikollovskin është në vizitë të rajonit të Tikveshit.
Për Ligjin për mbrojtje dhe atë për Prokurori publike, të cilat ai pret të miratohen para shpërndarjes së Kuvendit, ai ka thënë që bëhet fjalë për argument të cilin duhet t’ua japim Holandës dhe Francës dhe të gjitha vendeve tjera, anëtare të BE-së.
“Bëhet fjalë për mundësi unike, të bëjmë përpjekje që me shumicë prej dy të tretave të miratojmë ligje kështu të rëndësishme. Njëri është konsekuencë e anëtarësisë tonë në NATO, ky është ligji për mbrojtje, kurse Ligji për prokurori publike në fund është për shtet të së drejtës. Përmes këtij ligji do të përcaktojmë a do të fitojë shteti i së drejtës juridik ose ata të cilët janë të dyshuar për vepra të paligjshme”, ka thënë Zaev në Negotinë./Portalb