Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka paralajmëruar largimin e tij nga politika. Në një intervistë ndryshe për median serbe Kurir ku ka folur veç të tjersh për jetën e tij, Zaev tha se pas tre vitesh do të tërhiqet nga politika.
Kreu i qeverisë maqedonase argumenton se një kryeministër nuk duhet të shërbejë më shumë se dy mandate, pasi sipas tij bëhet autokrat.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe të jesh kryeministër. Asnjëherë nuk kam ëndërruar që do të isha kryeministri i vendit tim dhe kam lindur në Murtin, kam punuar në bujqësi, kam shitur në treg. Por jeta sjell shtigje të panjohura. Kryeministri duhet të shërbejë për një maksimum prej dy mandatesh, sepse ekziston rreziku që ai të bëhet një autokrat përmes kësaj. Është rrezik kudo, por veçanërisht në Ballkan.
Është e shëndetshme që gjithmonë vijnë njerëz të rinj. Unë jam në mandatin tim të dytë, deri në vitin 2024, dhe besoj se do ta përfundoj atëherë. Pastaj do të kthehem në kompanitë tona, për të bërë reklama përsëri. Politika është ves, është e vështirë të hysh e të dalësh. Por, sigurisht, është një nder i madh të jesh kryeministër i vendit tënd,” ka thënë Zaev.