Mbështetje për realizim të suksesshëm të referendumit sot shprehën dy deputetët nga Bundestagu gjerman, Josip Juratoviq dhe Martin Roseman të cilët realizuan takim me kryeministrin Zoran Zaev.
Ata, me përfaqësues nga fondacioni Fridrih Ebert, të shoqëruar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Tomas Gerberih, Zaevin e porositën se me realizimin e suksesshëm të referendumit vijues, hapet ardhmëria evropiane dhe atlantike për Maqedoninë dhe qytetarët. Juratoviq dhe Roseman i theksuan qeveritë në Maqedoni dhe Greqi si pikë ndriçuese që e depërton “errësirën ballkanike” dhe tregojnë se si praktikohet demokracia e vërtetë.
Në takim, siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, është theksuar se vlerat demokratike janë përfitim që është i rëndësishëm ta praktikojnë të gjithë subjektet politike në shtet dhe është shfaqur shpresë se ekziston potencial për këtë tek partitë politike, pavarësisht përcaktimit të tyre ideologjik.
“Patriotët duan dhe e mendojnë popullin, ndërsa nacionalistët urrejnë dhe i mendojnë interesat personale, tani ka ardhur koha ta ngrenë zërin patriotët e vërtetë dhe t’i sigurojnë perspektivat euroatlantike të Maqedonisë dhe standardin ekonomik të qytetarëve, është mesazhi që u theksua në takim nga delegacioni gjerman.
Kryeministri Zaev ka informuar se në vijim janë përgatitje korrekte, transparente dhe edukative për votimin në referendumin vijues.
“Maqedonia dhe qytetarët janë para një momenti historik dhe unë jam i bindur se shumica e qytetarëve do të japin mbështetje për ardhmërinë e ndritshme të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Besoj tek qytetarët se do të gjejnë forcë që ta sigurojnë ardhmërinë e tyre dhe ardhmërinë e të rinjve të cilët do të motivohen të qëndrojnë të jetojnë, mësojnë dhe jetojnë në Maqedoni, në vend që ta braktisin vendlindjen”, tha kryeministri Zaev.
Në takim, kryeministri Zaev dhe Eva Elerajt nga Fondacioni Fridrih Ebert, kanë nënshkruar edhe Memorandum për bashkëpunim midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Fondacionit Fridrih Ebert.