Zaev: Në propozimin e Portugalisë janë përfshirë interesat e të dyja palëve


“Presidenca portugeze me BE-në dhe ministri i Jashtëm Augusto Santos Silva, në propozimin e ofruar për zgjidhjen e kontestit në mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, është kujdesur të përfshihen pritshmëritë nga të dyja palët”.

Këtë e tha sot kryeministri Zoran Zaev, i pyetur në lidhje me përmbajtjen e propozimit portugez për zgjidhjen e kontestit në mes Shkupit dhe Sofjes, i cili të premten u prezantua nga diplomati portugez Augusto Silva dhe eurokomesari Oliver Varhelyi.
Zaev tha se kjo është bazë e mirë për të ardhur deri tek zgjidhja.

“Kemi diskutuar seriozisht dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Presidenca portugeze është kujdesur që të përfshijë interesat e të dyja palëve”, tha Zaev.

“Është përfshirë edhe pala bullgare dhe sipas rezulutave të tyre mund të vazhdojnë negociatat, pasi presim që sa më parë Bullgaria ta pranojë identitetin dhe gjuhën maqedonase. Çdo herë kam thënë se ka vullnet të mirë për të ardhur deri tek zgjidhja nga të dyja palët”, tha Zaev, duke shtuar se identiteti dhe gjuha maqedonase janë të mbrojtura.