Pres që Trifonovi t’i korrigjojë fjalët e tij lidhur me përdorimin e termit – maqedonas veriorë, tha kryeministri Zoran Zaev, pasi dje njeriu i parë i partisë “Ka popull të tillë”, Sllavi Trifonov, duke e prezantuar programin hapësinor të Qeverisë së ardhshme, me provokim dërgoi mesazh se nuk e ka ndërmend të na quajë maqedonas. Zaevi theksoi se beson se bëhet fjalë për mosinformim.
“Kur dikush na quan si diçka që nuk jemi, atëherë kjo lëndon. Ne jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonase, ashtu siç them unë se miqtë dhe vëllezërit tanë janë bullgarë dhe se flasin gjuhë bullgare. Unë pres që të korrigjohet sepse është parti politike, e cila, ja siç pamë mori mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Republika e Bullgarisë”, tha kryeministri Zaev.
Zaevi shton se do të donte që Qeveria bullgare të formohet sa më shpejt, me qëllim që të vazhdojnë negociatat, por sipas rezultateve zgjedhore, duket e vështirë kjo të ndodhë së shpejti.
“Me krijimin e një Qeverie politike, si rezultat i zgjedhjeve të dyta parlamentare, normalisht se presim një hap përpara në drejtim të zgjidhjes së problemit që ka lidhur mes vendit tonë dhe Republikës së Bullgarisë. Në rrethana të tilla shpresoj se do të formohet Qeveri. Tani për tani në horizont nuk shihen koalicione të cilat do të mbështesnin një Qeveri të përbashkët, respektivisht se do të formonin shumicë parlamentare, prandaj po e them se pritjet janë 50-50 se do të formohet Qeveri”, shtoi Zaev.
Në drejtim të vazhdimit të përpjekjeve për start të negociatave, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani mbajti takim të jashtëzakonshëm me ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së dhe institucionet që kanë të bëjnë me Unionin. Takimi i Osmanit vjen pak kohë pasi Sllovenia e mori Presidencën me BE, por edhe pas situatës së pasigurt pas zgjedhjeve në Bullgari.
“Në periudhën në vijim, veprimet e ardhshme diplomatike në lidhje me rrumbullakimin e dosjes sonë evropiane do të orientohen drejt shfrytëzimit të mundësive të ofruara nga Presidenca sllovene, veçanërisht për shkak të faktit se Sllovenia, si fqinj i drejtpërdrejtë i rajonit, ka treguar interes të veçantë për progresin gjithëpërfshirës të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Pas bllokadës së negociatave në Këshillin Evropian nga ana e Bullgarisë, autoritetet e Maqedonisë presin që vendi të marrë dritë jeshile në takimin e ardhshëm të Këshillit për Çështje të Përgjithshme që do të mbahet në dhjetor të këtij viti.