Zaev: Ndamë 50 milionë euro që komunat t’i paguajnë borxhet

Kryeministri Zoran Zaev ka siguruar se koalicioni qeverisës dhe parazgjedhor është stabil.
“Koalicioni është stabil, është i vetmi. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me BDI-në, siç kemi me Besën dhe PDSh-në si parti më e vogël. Sigurisht, mbështetjen do ta kemi të ndërsjellët sepse kështu besojmë se shumë më mirë do t’u shërbejmë qytetarëve”, tha Zaev.

Premton se ky bashkëpunim, që vjen nga pushteti qendror do të reflektojë edhe në suksesin e pushtetit lokal, ku siç thotë, do të vazhdojë mbështetja e projekteve me interes për qytetarët.
“50 milionë euro kemi dhënë para që të zhbllokohen komunat, t’i kthejnë borxhet”, tha Zaev duke folur për atë se çfarë ka bërë qeveria që t’i ndihmojë komunat.

Projekte komunale janë realizuar edhe nga mjete të Bashkimit Evropian, Banka për Zhvillim, nga Projekti TAV dhe Banka Botërore, shtoi ai.
“Kemi treguar feeling serioz dhe ndjeshmëri për ndihmë dhe mbështetje të komunave dhe besoj se kjo do të mirënjihet nga qytetarët”, përfundoi ai.