Zaev: “Monstra” nuk është punë e imja

Deputetit të Alternativës, Skender Rexhepi për rastin “Monstra” i është përgjigjur kryeministri Zoran Zaev. Ai ka thënë se rastet e tilla, nuk janë punë e tij, as e Rexhepit, por e prokurorisë dhe gjyqësorit.

“Jam takuar me familjet e të dy palëve, të akuzuarve dhe të dëmtuarve. I kam dëgjuar. Por, në fund është gjyqësori ai që merr vendime. Pse atë vit kur keni bashkë me mua në pushtet, nuk keni bërë diçka? Sepse nuk është puna ynë. As punë e juaja, e as e imja. Kjo është punë e Prokurorisë Publike dhe e Gjykatës”, tha Zaevi duke u përgjigjur pyetjes së deputetit, Skender Rexhepi. Por për këtë përgjigje, Rexhepi nuk është i kënaqur. Thotë se zgjidhje ka, duke pasur mbikëqyrës nga jashtë.

Zaev në vitin 2015 për “Die Zeit: Shqiptarët e dënuar për rastin “Monstra” janë të pafajshëm

Shqiptarët e dënuar për rastin “Monstra” janë të pafajshëm. Kështu pohon kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase LSDM-së, Zoran Zaev në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”. Zaev pohon se ata me pa të drejtë qëndrojnë në burg, por ai ka frikë se zbardhja e bombës politike për të vërtetat lidhur me këtë rast, do mund të shkaktonte trazira te shqiptarët e Maqedonisë.

“Mund të ketë edhe viktima. Andaj jemi duke zhvilluar bisedime intensive me bashkësinë shqiptare që të gjejmë mënyrë t’i shmangim reagimet e këtilla. Doemos duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj të vërtetës”, pohon kryetari i LSDM-së, Zaev. Zaevi nuk pret nga Kryeministri Nikolla Gruevski që ai të ofrojë dorëheqje dhe thotë se një qeveri kalimtare do ia mundësonte atij të tërhiqej me dinjitet “Nuk besoj se ai do ofrojë dorëheqje. Kjo do të kishte domethënien e pranimit të fajësisë. Besoj se nëpërmjet bisedimeve do mund të arrijmë deri te një qeveri kalimtare. Pastaj edhe për të do krijohet mundësia për një tërheqje të tij dinjitoze”, pohon Zaev në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Die Zeit”./TCH