Zaev kërkon kompromis nga opozita për Komisionin Zgjedhor


Në rast se deri në fund të javës nuk ka epilog për KSHZ-në, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev paralajmëron thirrjen e takimit të liderëve.

“Pres që deri në fund të kësaj jave grupet e punës të gjejnë zgjidhje sepse edhe si liderë kemi dhënë ndikimin tonë. Nëse nga grupet e punës nuk ka rezultat, unë do të ftoj takim të liderëve apo edhe cili do nga liderët e partive politike ka të drejtë ta thirrë atë. Është e rrugës që deri në fund të javës të arrijmë kompromis” tha Zaev.

 Aktualisht përbërja e KSHZ-së ka mbetur në qorrsokakun parlamentar. Komisioni për zgjedhje dhe emërime i udhëhequr nga opozita, ka ndaluar me punë në fazën e listës së kandidatëve. Për fillimin me punë, i pari i komisionit, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski kërkon konsensus mes partive politike, për ta vazhduar më pas me procedurat e pastrimit të listave, zgjedhjes së kandidatëve dhe propozimi i tyre në Kuvend për votim. Pa KSHZ-në, referendumi mbetet vetëm pikë e marrëveshjes së Prespës e cila gjithashtu rrezikohet pa organizimin e tij. Gjatë javës pritet të diskutohet edhe për karakterin, datën dhe pyetjen e referendumit. Këto sipas Zaevit duhet akordohen me opozitën.

“Afatet dhe koha po afrohen. Nëse duam t’i kapim datat 23-30 shtator ose 7 tetor, pres që në shtat ditët e ardhshme të mund t’i rrumbullakojmë çështjet rreth datës, pyetjes dhe karakterit të referendumit” theksoi Zaev, raporton Alsat-M, transmeton Klan Kosova.

I pari i ekzekutivit maqedonas mohon se amnistia për dhunën në Kuvend është parakusht për de-bllokimin e KSHZ-së. Sa i përket Qeverisë teknike dhe kushteve që kërkon opozita përmes Ligjit mbi Qeverinë, kryeministri kërkon që si fillim t’i dëgjojë argumentet e VMRO-DPMNE-së. Ndonëse për sot ishte paralajmëruar takim i grupeve negociuese mes LSDM-së dhe VMRO-së, burime nga taborët e lartpërmendura mohuan një gjë të tillë.