Zaev: Kemi mbështetjen e plotë nga SHBA-të


Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me nënpresidentin amerikan Mike Pens ka përsëritur qëndrimin se vendi e ka mbështetjen e pa kompromis të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e referendumit të suksesshëm. Zaev dhe Pens kanë biseduar edhe për nevojën e dialogut politik në vend si dhe nevojën që opozita të mbështes proceset. Zaev nga Uashingtoni theksoi se ka marrë premtimin e njeriut të dytë të SHBA-së që anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ta festojnë bashkë në Shkup.

Me nënpresidentin Pens folëm për aktivitetet tona për referendum të suksesshëm më 30 shtator, si hap i rëndësishëm që do të na sigurojë pjesëmarrjen ne strukturat euroatlantike. Bëmë thirrje që të gjithë liderët politik, përfshi edhe opozitën të rreshtohen në misionin tonë për të ardhmen. Të motivuar dhe inspiruar nga takimi me nënpresidentin Pens, qëndrojnë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të me qëllim realizimin e strategjisë sonë, konsolidimin e aspiratave tona euroatlantike, për paqe, stabilitet dhe prosperitet mes gjithë kombeve anëtare të këtyre familjeve – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi si historik dhe vendimtar referendumin e 30 shtatorit, duke potencuar nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimin me përpikëri të reformave prioritare.

Nënpresidenti Pens dhe kryeministri i Maqedonisë Zaev biseduan për hapat e ardhshëm në drejtim të zbatimit të marrëveshjes, duke përfshi edhe referendumin e 30 shtatorit dhe rëndësinë që qytetarët të dalin dhe të votojnë në këtë situatë kritike për të ardhmen e vendit – njoftojnë nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Vizita e Zaev në Uashington vjen pak ditë pas vizitës së njeriut të parë të Pentagonit, Xhim Mattis i cili gjatë qëndrimit tij në Shkup, votën në referendum e vlerësoi si votën më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë./PC