Kushtëzimet e VMRO-DPMNE-së ndaj përbërjes së KSHZ-së për kryeministrin Zoran Zaev janë sjellje adoleshentësh. Sipas Zaev, pavarësisht qëndrimit të opozitës ndaj referendumit, Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet të jetë funksionale.
“Fillimisht të mbarojë zgjedhja e KSHZ-së dhe kjo nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhshmëri me referendumin. Është çështje logjike e cila u hap pas dorëheqjes së anëtarëve të KSHZ. Siç e dini, në bazë të marrëveshjes me opozitën është zgjedhur modeli i vjetër, respektivisht opozita të ketë kryetarin dhe dy anëtarë ndërsa pushteti 4 anëtarë apo thënë ndryshe shumicën”, deklaroi kryeministri maqedonas Zoran Zaev.
Propozim-ligji mbi financimin e partive politike, që është edhe një ndër kushtet e opozitës për të zhbllokuar KSHZ-në, ka marr dritë jeshile. Opozita dhe pushteti janë pajtuar për modelin e tij dhe i njëjti është lëshuar në procedurë parlamentare. Megjithatë, pengesë mbetet Ligji mbi Qeverinë. Opozita përveç kushtit për qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve, kërkon edhe ministra dhe zëvendësministra me te drejtë për veto. VMRO-ja kërkon atë që e kishte LSDM-ja kur ishte në opozitë. Kjo sipas kryeministrit Zaev është e pamundur për faktin që aso kohe opozita kishte ndërprerë bombat politike ndërsa tani nuk ka një situatë të tillë.
“Kurdo që do të ketë zgjedhje parlamentare kryeministri largohet 100 ditë para zgjedhjeve dhe vjen kryeministri teknik. Ju them publikisht se unë jam në këtë qëndrim”, u shpreh Zaev.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbeti pa përbërje që nga dhjetori i vitit kaluar, pas dorëheqjeve të anëtarëve dhe kryetarit të KSHZ-së për çështje morale mbi bazën e skandalit që e denoncoi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.
Që atëherë opozita dhe pushteti krijuan grupe pune për harmonizimin e përbërjes, ku si rezultat palët u morën vesh për të kthyer modelin e vjetër të KSHZ-së, respektivisht pa ekspertë në përbërje. Ndonëse procedura për përbërjen e re ka filluar dhe paraprakisht konkursi për anëtarë ka përfunduar, fati i KSHZ-së është bllokuar në Komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvend me të cilin udhëheq opozita.
Kjo e fundit si kusht ka Ligjin mbi financimin e partive politike dhe Ligjin mbi Qeverinë. Jo zyrtarisht, ne mesin e kushteve është edhe amnistia për funksionarët e akuzuar të VMRO-DPMNE-së dhe të akuzuarit për dhunën në Kuvend.