Zaev dhe Gashi edhe zyrtarisht nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi sot në Klubin e Deputetëve edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen që Alternativa të bëhet pjesë e Qeverisë dhe shumicës parlamentare, përcjell TV21. Dy liderët kanë nënshkruar parimet themelore për avancim të programit të punës të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

1.Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mobilizojë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe shoqërisë me qëllim hapjen e negociatave me BE-në, përfundimin me sukses të të gjithë kapitujve dhe anëtarësim të plotë në BE si qëllim strategjik, në afat kohor sa më të shkurtër.

2.Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.

3. Qeveria do të miratojë Ligj të ri për zhvillim rajonal të barabartë dhe do të punojë në mënjanimin e të gjitha pengesave që të mundësojë zhvillimin e rajonit të Likovës, në mënyrë që ky rajon të bëhet i barabartë me të gjitha rajonet e tjera në vend në aspektin e komponentëve zhvillimorë.

4. Qeveria do të zhvillojë dhe zbatojë politika për promovimin e të drejtave dhe interesave të të gjithë individëve dhe komuniteteve në vend, ndërsa në veçanti do të japë mbështetje për familjen si një nga komponentët thelbësorë të jetës shoqërore.

5. Qeveria do t’i analizojë ligjet dhe politikat e përgjithshme të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ato do t’i përmirësojë në drejtim të zbatimit më efikas të tyre.

6. Qeveria do ta ridefinojë Ligjin për përmbarues, duke u udhëhequr para së gjithash nga kërkesat e qytetarëve, në mënyrë që ai të jetë në funksion të interesave të tyre tyre, e më pas edhe në interes të institucioneve.

7. Qeveria do të inicojë procesin e ndërtimit të Strategjisë Nacionale për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit, në të cilën do të insistohet të marrin pjesë të gjitha palët e procesit arsimor, si dhe partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë Qeveria do t’u dërgojë edhe thirrje zyrtare institucioneve ndërkombëtare për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë në vend.

8. Qeveria do të mbetet në qëndrimin për mbrojtjen ekonomike të popullatës dhe nuk do të lejojë ngritje të çmimit të energjisë elektrike më shumë se 20% gjatë vitit 2022, duke subvencionuar qytetarët dhe kompanitë dhe duke miratuar masa të tjera ekonomike.

9.Qeveria do të punojë për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe përshpejtimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zbatimin e projekteve në të gjitha nivelet, përmes rritjes së nivelit të përgjegjësisë, të cilën bartësit e funksioneve publike dhe nëpunësit shtetërorë e marrin para qytetarëve.

Shkup, 5.12.2021
Zoran Zaev
Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Afrim Gashi
Kryetar i “Alternativës”