Zaev, Angjushev dhe Bekteshi, në Forumin në Davos


Kryeministri Zoran Zaev, zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do ta përfaqësojnë Maqedoninë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, konfirmuan nga Qeveria.

Në kuadër të samitit, Zaev do të ketë takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me komisionerin evropian për zgjerimin Johanes Han si dhe me përfaqësues të lartë, pjesëmarrës në samit.

Në samitin i cili fillon nesër dhe zgjat deri më 25 janar do të marrin pjesë 65 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 40 liderë të organizatave ndërkombëtare. Edhe pse në fillim ishte konfirmuar, pjesëmarrjen e tij në samit e anuloi presidenti amerikan dhe ai francez, Donald Tramp dhe Emanuel Makron si dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Tereza Mej.

Në samit nuk do të jenë as presidentët e Rusisë dhe Kinës. Temë e samitit të sivjetmë është “Formësimi i arkitekturës botërore në kohën e revolucionit të katërt industrial”.