YouTube bllokon mediat shtetërore ruse

YouTube tha të premten se po bllokon kanalet e mediave ruse të financuara nga shteti globalisht “menjëherë”.
“Udhëzimet tona të komunitetit ndalojnë përmbajtjen që mohon, minimizon ose banalizon ngjarje të dhunshme të dokumentuara mirë dhe ne heqim përmbajtjen rreth agresionit rus në Ukrainë që shkel këtë politikë. Në përputhje me këtë, dhe duke e futur në fuqi menjëherë, ne po bllokojmë gjithashtu kanalet YouTube të lidhura me mediat e financuara nga shteti rus, në nivel global”, ka thënë YouTube në një deklaratë.

Kompania e teknologjisë theksoi sot në Twitter se filloi bllokimin e kanaleve të RT dhe Sputnik në YouTube në të gjithë Evropën.
Ajo shtoi se tashmë ka ndërmarrë hapa të tjerë që kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë.

“Ne ndaluam fitimin e parave dhe kufizuam ndjeshëm rekomandimet për kanalet mediatike të financuara nga shteti rus. Të dy veprimet janë globale. Ekipi ynë i Mirëbesimit dhe Sigurisë ka punuar për të hequr shpejt përmbajtjen dhunuese. Ne kemi hequr qindra kanale dhe mijëra video për shkelje të Udhëzimeve tona në Komunitet, duke përfshirë politikat tona rreth praktikave mashtruese dhe dezinformatave”.