Xhelal Zejneli: Kënga e lamtumirës

“Fluturoi dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
duke shkuar që me natë, sipër malesh me dëborë”
“Vallja e yjeve”, Lasgush Poradeci

Nga Prof. Xhelal Zejneli
Të nderuar nxënës,
Me “Këngën e lamtumirës” e fillon poeti anglez Bajroni (George Gordon Byron, 1788-1824) epin e vet udhëpërshkrues “Shtegtimet e Çajlld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812), në çastin dramatik kur u nda përgjithmonë nga çdo gjë angleze.

Stacion pa ndarje nuk ka. Edhe ne mbërritëm në stacionin e ndarjes, e ndarje pa dhimbje nuk ka. Më duhet t’ju lë, një muaj pa mbaruar viti shkollor. Kjo është akoma më e dhimbshme.
Ndonëse procesin e ligjërimit e realizuam nga distanca, megjithëkëtë arrita ta kuptoj shpirtin tuaj të dëlirë, etjen e madhe për dituri, dëshirat e zjarrta për ta njohur të panjohurën, zgjuarsinë dhe ambiciet tuaja për ta përthithur dijen, ëndrrat tuaja për të qenë në rrugën e dritës.

Gjatë periudhës sa qemë bashkë, pashë te ju brezin e ndërgjegjshëm të nxënësve që do të jetë i aftë për t’u ballafaquar me çdo sfidë të kohës. Kurrë të mos i harroni detyrat tuaja parësore – librin, shkollën, arsimimin, rendjen pas diturisë. Naimi thotë: “…dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Ju ndodheni në moshën kur fillon edhe ndërtimi i personalitetit tuaj dhe forcimi i karakterit. Të mësuarit do t’ju bëjë më të emancipuar, më të edukuar, më të ngritur, më të formuar dhe më të kulturuar. Dituria është perspektiva juaj, është e ardhmja juaj. Është ajo që ju ndan nga terri i injorancës dhe errësira e provincializmit.

Kur të kryeni arsimimin e mesëm, ju sugjerojë që t’i ndiqni studimet universitare. Të studioni në universitetet tona, por edhe të Perëndimit. Kontakti me botën do t’ju mundësojë të njiheni me qytetërime dhe kultura të reja, me vlera universale. T’i përkushtoheni vetes dhe prindërve tu të cilët s’kursejnë dot asgjë për t’ju nxjerrë në rrugën e mbarësisë dhe për t’ju parë në botën e lirisë. Të mësuar dhe të ngritur, do të jeni të dobishëm për shoqërinë dhe për këtë popull. Ju nuk jeni brez i humbur, jeni brez i shpresës së madhe, jeni fatosa të së ardhmes, të bukës së bardhë, të integrimit në familjen e botës së qytetëruar.

Në tempullin e perëndisë së lashtë greke – Apolonit në Delfi ndodhej mbishkrimi: “gnothi seaton” (njihe veten). Ju jeni bij dhe bija të ilirëve. Gjuha juaj është bijë e ilirishtes. Jeni rrënjës, autokton në të gjitha trojet arbërore, kudo që flitet shqipja, kjo gjuhë e Perëndisë, sikundër kanë thënë Naimi dhe Gjergj Fishta.

Jeni stërmbesa dhe stërnipa të Gjergj Kastriotit, kryezotit të mesjetës. Në zemër i keni rilindësit tanë që u flijuan për shqiptarinë. Ju krenoheni me Nënë Terezën që një jetë të tërë ua përkushtoi të varfërve të botës. Ju e lexoni Kadarenë, të përkthyer në 47 gjuhë të rruzullit. Krenoheni me dy detet e Shqipërisë – Adriatikun dhe Jonin. Krenoheni se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të gadishullit. Kurrë s’do të harroni se Shqipëria shtrihet deri aty ku bukës i thonë bukë dhe ujit ujë. Gjatë gjithë historisë së tyre shqiptarët kanë ecur nëpër tehun e shpatës. Lirinë e kërkuan ndër shekuj.

Për këtë sasi lirie që keni, dikush është flijuar. Liria, të drejtat s’kanë rënë nga qielli. As jua ka falur kush. Prindërit dhe gjyshërit tuaj kanë sakrifikuar. Kosovën ta keni në zemër. Për çlirimin e saj prej pushtuesve serbë, shqiptarët luftuan mbi një shekull. Forconi miqësinë me ShBA-në.

Sidoqoftë, të kaluarën lërjani historisë. Merruni me të tashmen, me të sotmen, për të ardhmen më të mirë, më të lirë. Të gjitha energjitë tuaja kushtojani të tashmes dhe të ardhmes. Kurrë të mos bëheni ksenofobë, urrejtës të të tjerëve, të të huajve. Dojini popujt e botës, pa dallim përkatësie etnike, racore apo fetare. Duke qenë shpresë e popullit tonë, vendosni ura komunikimi dhe bashkëpunimi me popujt e botës. Para vetes të shihni njeriun dhe jo të huajin. Shkrimtari kroat Mirollav Kërlezha (1893-1981) thotë: “Njerëzit nuk e duan njëri-tjetrin, ngase nuk njihen”. Pra, njiheni botën që ta doni atë dhe që edhe ajo t’ju dojë. Mos u veçoni, mos u izoloni. Jini të guximshëm, mbrojeni të vërtetën. Para të keqes, qëndroni të patundur, si një mali vetmuar. Mos u nënshtroni kurrë dhe para askujt. Bota ju takon juve, jeta është e juaj.

Refuzoni ideologjitë totalitariste dhe diktatoriale, tiranike dhe despotike, autoritare dhe autokratike. Përqafoni vlerat demokratike dhe universale. Luftojeni oportunizmin, konformizmin dhe demagogjinë. Në qendër ta keni njeriun. Shkrimtari dhe filozofi francez Monteskjë (Charles-Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755) thotë: “Në radhë të parë jam njeri, francez jam rastësisht”.

Tregohuni solidarë ndaj tjetrit, ndaj të tjerëve. Dijeni se dikush ka nevojë për solidaritetin tuaj. Solidarizim nuk është vetëm e mira materiale. Mund të solidarizohesh edhe me një fjalë të mirë. Ndodh që edhe ju të keni nevojë për solidaritet nga të tjerët. Qëndroni pranë nevojtarit, dilni në ndihmë të tij. Kultivoni ndjenjën e humanizmit, ndaj njeriut dhe çdo gjallese.

Bëjuni tolerantë ndaj tjetrit, respektoni mendimin ndryshe. Dëgjoni tjetrin kur flet. Shkrimtari dhe filozofi francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) thotë. “Ekziston e drejta jote, por edhe e drejta ime”. Mos harroni se liria juaj përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Liria e pakufizuar mund të shndërrohet në dominim.

Përvetësoni vlerat bashkëkohore dhe flakeni nga psikologjinë dhe mendësinë provinciale. Mos humbni kohë me përgojime dhe thashetheme. Provinciali është shpirt meskin, shpirtvogël, zemërngushtë. Bota është më e madhe seç na shohin sytë. Zgjerojeni horizontin tuaj të gjykimit. Mos u bëni arrogantë, megalomanë apo mendjemëdhenj. As narcisoidë, njerëz që pëlqejnë veten. Mos u tjetërsoni kurrë, jini ata që jeni dhe mos u bëni vegël e askujt. Puna me nder dhe mësimi permanent, i vazhdueshëm ju sjellin pavarësi personale. Mos lejoni t’jua cenojnë dinjitetin dhe integritetin. Që sot duhet të mësoni sesi të gjykoni me kokën tuaj. Mbroni të drejtat gjinore dhe refuzoni çdo lloj diskriminimi. Bazohuni në forcat tuaja dhe mos pritni shumë prej të tjerëve. Punoni me nder dhe mos i hapni rrugë të pandershmes. Suksesi juaj le të jetë fryt i punës dhe i mundit tuaj. Askush s’e gëzon dot atë që është krijuar në mënyrë abuzive, të pandershme.

Dijani vlerën asaj që keni dhe punoni për më tepër. Mos u bëni lakmitarë dhe të pangopur. Mos u bëni robër të makutërisë, të pangopësisë. Mos i mbani sytë vetëm kah materialja. Kërkoni pranë jush edhe shpirtëroren. Flakni nga vetja anët e liga që i ka njeriu – egoizmin, xhelozinë, smirën. Mos lejoni t’ju ikë koha e artë. Ajo nuk kthehet kurrë.

Shmangni nga kokat tuaja paragjykimet. Të menduarit me paragjykime është i gabuar. Të keqen mos e ndëshkoni, përkundrazi shërojeni atë. Madhështi është falja dhe jo hakmarrja. Tregoni mirëkuptim për gjendjen e palakmueshme të tjetrit. Mos shkoni në skajshmëri, mos u bëni ekstremë. Mos lejoni t’ua shpëlajnë trurin. Mësimi i gabuar mund t’ju bëjë nacionalistë folklorikë apo edhe anacionalë, fetarë apo antifetarë dhe ateistë, marksistë apo antimarksistë. Mos u bëni nacionalistë folklorikë apo shovinistë. Punoni për paqe dhe qëndrueshmëri, për stabilitet. Nga konflikti askush s’del fitues, të gjithë dalin humbës. Lufta dhe konflikti mbjellin varfëri, i çon nënat në zi, i shpie popujt buzë greminës, honit dhe humnerës. Mos jetoni në mite dhe në legjenda. Mos jetoni me mite dhe me legjenda. Mitet dhe legjendat i takojnë periudhës parahomerike. Shekulli juaj është kohë e internetit, e kompjuterit, e telefonisë celulare, e komunikimit satelitor, e rrezeve laser. Shkoni në hap me kohën. Kur të vijë koha, bëjuni pjesë e proceseve politike, sociale, kulturore të shoqërisë. Luftoni për lirinë e fjalës. Punoni që bota shqiptare të ndërtojë shtet ligjor. Liria e individit është e paprekshme. Gjejeni veten në shoqëri. Kur të kualifikoheni, punësohuni dhe bëjuni të pavarur. Kur t’ju vijë koha krijoni familje. Familja, sa gjë e shenjtë, e shtrenjtë, ëndërr e çdo prindi për fëmijën e vet.

Mos e braktisni vendlindjen tuaj, mos i zbrazni vatrat tuaja, mos i shpopulloni trojet tuaja etnike historike, tokën e të parëve. Evropën silleni ndër shqiptarë, evropianizoni botën shqiptare dhe tërë Ballkanin. Bashkimi Evropian është një botë pa kufij. Duke iu bashkëngjitur BE-së, do të bashkohen edhe shqiptarët, madje pa luftë.

Rrezatoni energji pozitive, jini optimistë, mos i jepni rrugë pesimizmit dhe nihilizmit. Nihilizmi është mohim i plotë i të gjitha parimeve, i traditave dhe i bindjeve apo besimeve të ngulitura. Bazarovi i romanit “Etër e bij” të shkrimtarit rus Ivan Turgenjevit (1818-1883) mohonte vendosmërisht të gjitha parimet dhe traditat e kulturës fisnike.

Lexoni filozofin dhe eseistin gjerman Artur Shopenhauerin (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), filozofin dhe poetin gjerman Fridrih Niçen (Friedich Nietzsche, 1844-1900) dhe dijetarin, psikiatrin dhe eseistin austriak, Zigmund Frojdin (Sigmund Freud, 1856-1939), por vullneti juaj nuk duhet të jetë forcë e verbër shtytëse, pa qëllim ose drejtim. Ndryshe, mund të përshkoheni nga pesimizmi i Shopenhauerit.

Etërit dhe gjyshërit tuaj kanë punuar që bota shqiptare sot të mos jetë ajo e kohës së Gjon Zaverit të Sterjo Spasses (1912-1989). Dojeni jetën, ajo është e juaja.

Intuita dhe nënvetëdija vlejnë kryesisht në botën e artit, të filozofisë dhe të psikanalizës. Arritjen e drejtpërdrejtë të së vërtetës, pa ndihmën e provës apo të eksperimentit dhe pa ndihmën e përfundimeve logjike do ta gjeni te intuitizmi i filozofit dhe shkrimtarit francez Anri Bergsonit (Henri Louis Bergon, 1859-1941).

T’i besoni përparimit, lëvizjes para, por jo sipas parimeve të realsocializmit. Kurrë mos e pranoni një realitet të lustruar. Estetika bolshevike do të jetë e papranueshme nga ju. Sot e mot. Historia s’njeh ngecje as lëvizje prapa, përpos në kohë zezonash, gjëmash të mëdha.

Mos urreni, reflektoni dashuri dhe vetëm dashuri. Dashuri ndaj të bukurës. Në shekullin XIX parnasistët francezë thoshin: “Asgjë s’është më e bukur se ajo që nuk ekziston”. Jo, s’mund të jetë ashtu. Përkundrazi, e bukura ekziston. Ajo jeni ju. Zbuloni fshehtësitë, misteret e botës nëpërmjet studimit – matematikës, shkencave të natyrës dhe informatikës. Dojeni mjekësinë dhe hiqjani dhimbjen një të sëmuri.

Gjatë gjithë jetës, kudo që të jeni gjykoni me arsye, me rezon, me mendje. Asgjë nuk ekziston jashtë arsyes, jashtë rezonit, jashtë gjykimit me mendje.
Askush s’e di në do të vijë ndonjëherë Godoja e Semjuel Beketit. Estragoni e priti gjatë gjithë jetës dhe ai s’erdhi. Do ta pritni edhe ju, sikundër e pret e gjithë bota. Mos u dëshpëroni nga pritja pa fund. Pritja fund nuk ka, por Estragoni po, fund ka. Pritja deri në pafundësi është fatalitet i njeriut që aktron në teatrin absurd të një kohe që të tjetërson pamëshirshëm.

Mos humbni kohë për ta gjetur vendvarrimin e Melkiadit. Fshatarët e Makondos s’lanë vend pa e kërkuar, s’lanë dy gur bashkë, por më kot. Në botën markeziane askush s’ka mundur të zbulojë diç. Megjithëkëtë, ju mos e leni pa e parë dramën e Makondos. Është një botë magjike. Botën markeziane e keni kudo rreth jush. Makondo, jemi ne.

Mos lejoni të shkelin mbi ndërgjegjen tuaj ambiciet makbetiane. Ati i tragjedisë moderne, Shekspiri, vdekjen e solli në skenë. E solli për të na mësuar sesi nuk duhet vrarë ëndrrën e pafajshme. Analizoni mirë dilemat hamletiane dhe pyetni veten: “Përse Hamleti nguron të veprojë?!”.

Fatin tuaj mund ta kërkoni në çdo cep të rruzullit, por para se të përshkoni shkretëtirën për të arritur te këmbët e piramidës së Kefrenit, shikoni njëherë rreth e rrotull. Një ditë, djaloshi Santiago i Paulo Kueljos u ul buzë lumit Madeira dhe qau. Mësoi se fatin e kishte pasur aty pranë vetes, por ai s’e kishte parë.

Ndaluni dhe gjykoni plakun Santiago të Hemingueit. Gjatë përleshjes treditëshe për jetë o vdekje me përbindëshin oqeanik në rrymën e Golfit, tha: “Po, hëna s’ka si gjuhet, por ky peshk, sado gjigant, do të gjuhet se s’ka”. Rrugës për në breg, iu vërsulën peshkaqenët. Në breg nxori vetëm skeletin e gjahut gjigant. Në ujërat e trazuara – peshkaqenët, ndërsa në botën përreth – hienat. Dhe njeriu ndodhet midis skiles dhe haribdës.

Kalorësin e Servantesit – Don Kishotin mos e merrni lojë argëtimi. Ata që e cilësuan si të marrë, një ditë krejt pa pritur, për këtë hero të mesjetës dhe për vete – kanë qarë.

Jozef K-në e Kafkës e ndoqën gjatë gjithë jetës. E fajësuan dhe e vranë. Ai nuk arriti të mësojë se kush e syrvejonte në çdo hap dhe përse. Nuk arriti të kuptojë se cili ishte faji dhe mëkati i tij. S’ia dolli të dijë përse akuzohej. Për ta mbrojtur lirinë e individit nga tirania e pushteteve despotike, autoritare dhe totalitare një ditë do t’ju duhet të depërtoni në labirintet e botës kafkiane. Mos pandehni se koha e Vëllait të Madh të botës orueliane ka kaluar përgjithmonë.

Mersoi i Alber Kamysë vrau njeriun “për shkak të diellit”. Priftit që e vizitoi në qeli i tha: “Mos u lutni për mua, jam ateist”. Gjatë varrimit të së ëmës, ai nuk kishte qarë. E shpallën të pashpirt, e ekzekutuan. “Vrava për shkak të diellit” – mësoni thelbin e këtij arsyetimi. Gjyqësia evropiane e asaj kohe nuk ia doli ta zbërthente. Merso ishte një i ri pa vlera kolektive, mezi një individ.

Mos pyetni se kush e solli Doruntinën. Mësoni përse ajo nuk erdhi në kohë. Ardhja e saj me vonesë shkaktoi edhe dramën tragjike të Zonjës Mëmë.

Kush e theu prillin shqiptar, muajin e pranverës. Kush e pengon dhe e vonon sot pranverën shqiptare, muajin e jetës? Prilli i thyer, kjo metaforë e ndaljes së shqiptarëve.

Dielli shqiptar lind në Perëndim.

* * *

Ky aeroport i ndarjes nuk do të më pengojë që të jetoni në kujtesën time, në shpirtin tim. E bukura është e përgjithshme, e përhershme dhe e pandryshuar. (Platoni)
Në të gdhirë të ditës së re, 11 maj 2021, ora 6:12