Xhelal Sveçla kërcënon hapur Pacollin: Nëse nuk rri në vetizolim, do të arrestohet


Ushtrues i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po vazhdon me kërcënimet e tij hapur në studio televizive ndaj deputetit e kryetarit të AKR’së, Behgjet Pacollit.

Sveçla, pak ditë pasi bëri spektakël me anë të një konference ku gënjeu hapur në lidhje me Presidentin Thaçi gjëja se futi ilegalisht deputetin Pacolli në Kosovë, ai tani ka vazhduar me zhargonin e tij kërcënues e të jashtëligjshëm.

Ai ka kërcënuar Pacollin se nëse nuk rri në vetizolim dhe thyen masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, do të arrestohet nga Policia e Kosovës..

“Çdokush që mund të gjendet në shkelje të ligjit do të ballafaqohet me pasojat e kësaj shkelje. Nëse z. Pacolli do të futej ilegalisht do të arrestohej, kjo është e zezë mbi të bardhën. Në fakt, do të ndalohej e më pas prokuroria do të vendoste nëse do të shqiptonte masën e arrestit”, tha Sveçla në Interaktiv.

“Ai do të qëndrojë në vetizolim, në momentin që ai potencialisht thyen izolimin, normalisht ka masa edhe për këtë veprim. Me dijen time, nëse thyhet izolimi ka masa tjera, nuk shkohet direkt në arrestim, ka gjobë mandatore, kthehet në vetizolim apo dërgohet në karantim”, tha Sveçla.

Sveçla madje ka thënë se Pacolli nuk do të lejohet të shkonte në parlament, duke zbuluar kështu se gjithë kjo po bëhet për të mos e lënë kreun e AKR’së të jetë i pranishëm në ditën e votimit të seancës për Qeverinë e re të Kosovës.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë e Sveçlës që kërcënon deputetin e AKR’së me arrestim në rast se shihet në lëvizje nëpër territorin e Kosovës.//gazetametro.net