Ardonita Sabedini nga Vitia bashkë me nënën e motrën po bëhen me shtëpi të re, dhjetë vite pasi babai i saj vdiq dhe problemeve me xhaxhain, që filluan për shkaqe të pronësisë.
Bamirësit, që kanë dëgjuar rrëfimin e Arbonitës kanë vendosur, që asaj dhe familjes t’ia ndërtojnë shtëpinë, në mënyrë që ato të mos vuajnë më nga presioni.
Ajo sikur edhe nëna e saj, është me aftësi të kufizuara, me nanizëm, teksa njësoj ishte edhe i ati që ka vdekur vite më parë.
Lajmin për ndërtimin e shtëpisë e ka bërë të ditur ish-luftëtari i UÇK-së Adnan Hyseni, njëherit drejtori i Fondacionit Humanitar “Avni Hyseni”, përmes një postimi në Facebook.
“Sot është vizituar familja Sabedini në Viti nga dy humanista të jashtëzakonshëm për t’ju dhënë edhe lajmin e jashtëzakonshëm nga afër se kjo familje po behët me shtëpi. Jam krenar që ne kemi njerëz aq human dhe jemi të gatshëm që lotët e dëshprimin familjeve në nevojë t’jua shndërrojmë në lot gëzimi dhe shprese. Agon E. Zhinipotoku dhe Dardan Isaj e që unë jam me fat që t’njoh Allahu kurrë mos ju huptë siç e keni gëzuar këtë familje ua ndriçoftë Allahu çdo hap të jetës. Duke mos harru për t’i thënë edhe një bravo të madhe emisionit dhe punës profesionale dhe humane në ATV Resul Sinani. Urime shtëpia të cilën do e keni së shpejti Ardonita Sabedini ty dhe familjes tënde qoftë kjo sprova e fundit për ju ku sot në bisedë me ty nga dallimi me dje pashë dhe ndjeva gëzimin e madh në shpirtin tënd”, shkruan Hyseni.
Ndërkaq, Ardonita kishte rrëfyer për vështirësitë e saj e të familjes pas vdekjes së babait, duke deklaruar se xhaxhai i cili jeton jashtë Kosovës, sa herë që vjen në pushim tenton t’i largojë nga shtëpia. Ajo në ATV bëri thirrje që institucionet të merren me rastin e tyre, ndërkaq në ndërkohë u paraqitën bamirësit për të ofruar ndërtimin e një shtëpie për Ardonitën, nënën e saj dhe motrën. /Telegrafi/