Xhavit Haliti: Bisedoja me vëllain, jemi duke i ndarë pronat që na la babai

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, dje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, u pa në telefon duke shkëmbyer mesazhe për toka. Madje atij iu publikuan edhe disa biseda, që sipas Halitit ishin në mes të tij dhe vëllait në Zvicër. Në një prononcim për Express, ai tha se me vëllain e tij po bisedonin për ndarjen e pronave që ua ka lënë trashëgimi babai i tij.

E për zhvillimin e kësaj bisede, gjatë kohës sa ai ishte në seancë, Haliti tha se nuk është pishman.
“Sqarimi im është se ne jemi njerëz dhe e kemi jetën private. Unë kam qenë duke biseduar me vëllain tim me të cilët jemi duke ndarë pronat që n ai ka lënë babai. Tani ai ka fotografuar. Unë po besoj që ai më së pari nuk ka pasur të drejtë që të fotografojnë telefonin tim. Por, nuk jam pishman pse kam folur me vëllain tim për mënyrën se si do t’i ndajmë pronat apo pse ju kam thënë që të zgjedhin çfarë dëshirojnë. Unë i kam tre vëllezër në Zvicër”, ka thënë ai.

Haliti për vlerën e pronave të tij është përfolur shumë herë.
Kjo pasi ai në Agjencinë Kundër Korrupsion ka raportuar se posedon prona në vlerë të madhe të parave,.
Për këtë çështje, ai tha se ato janë prona të përbashkëta që janë trashëgim nga prindi i tij.

Ndër të tjera Haliti tha se ato prona nuk i ka fituar as me korrupsion e as në ndonjë formë tjetër për të cilën mund të ndiqet ligjërisht.
“Edhe ato pronat e mëdha që po mi qesin, shkruan shumë mirë se të kujt janë pronat, në formularët përkatës, se sa pjesëtarë jemi në ato prona. Nuk janë prona që unë i kam marrë me korrupsion ose në variantin e mundshëm që ligji mund të më ndjek. Ato janë prona që kam deklaruar se janë prona tonat që na i ka lënë baba dhe i vlerësojmë sa dojmë na dhe jo sa dojnë të tjerët”, ka thënë më tutje ai.

Në ndërkohë në disa shkrepje të Insjaderit, deputeti shihet teksa komunikon me dikë për blerje tokash dhe shtëpish.
“Edhe për vneshta merruni vesh”, i thotë Haliti personit me mbiemër të njëjtë.
Madje deputeti e pyet atë, nëse personi për të cilin flasin ka paguar ndonjë lekë për atë punë.
“Pyete sa lekë i ka dhënë nga gjepi i tij”, shkruan Haliti në WhatsApp.
“Dane për mu ka të doni”, thotë Haliti, në një pjesë të mesazheve.

Në deklarimin e pasurisë të vitit 2019, të bërë në Agjencionin Kundër Korrupsionit, ai shihet se ai ka mbi 1 milion euro pasuri të paluajtshme.
Haliti ka deklaruar dy shtëpi me vlerë nga 200 mijë euro; një banese me vlerë 200 mijë euro, të blerë në vitin 200 dhe tokë me vlerë 400 mijë euro.

Ai po ashtu ka deklaruar tokë pyjore me vlerë 20 mijë euro dhe pasuri të luajtshme si veturë e stoli ari me vlerë mijëra euro.
Në një bankë, zyrtari i PDK-së ka deklaruar se ka 146 mijë e 362 euro të gatshme, ndërsa nuk ka asnjë borxh, derisa deklarimi i pasurisë për këtë vit ende nuk është publikuar nga AKK, ndonëse shumica e zyrtarëve të lartë shtetërorë, i kanë dorëzuar formularët e pasurisë, ashtu siç e parasheh Ligji.