Në një ceremoni zyrtare që do të zhvillohet të enjten, pritet të inaugurohet Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme si presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ndërkohë, Komuniteti Mysliman në Shqipëri ka nxjerrë detaje për inaugurimin e xhamisë, i cili është pritur prej kohësh nga besimtarët dhe autoritetet, shkruan A2 CNN.
Kjo ndërtesë e re fetare, puna për ndërtimin e së cilës nisi në vitin 2015, është realizuar me një investim prej afro 30 milionë eurosh. Me një kapacitet për të pritur mbi 5000 besimtarë, xhamia mbetet një nga projektet më madhore të këtij lloji në vend. Motivet klasike të saj janë të frymëzuara nga Xhamia Blu në Stamboll, duke u harmonizuar me elemente shqiptare që përngjajnë me shtëpitë e stilit tradicional të Beratit.
Gjatë vitit të kaluar, për shkak të konflikteve të brendshme midis qeverisë turke dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar, xhamia u mbajt e mbyllur. Presidenti Erdogan dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Pidan, gjatë vizitave të tyre në Shqipëri kanë theksuar se hapja e xhamisë do të bëhet pasi të sigurohen se komuniteti është spastruar nga përfaqësuesit me lidhje me organizatën e Fetullah Gylenit.
Administrimi i Xhamisë së Namazgjasë do të jetë nën përgjegjësinë e një bordi drejtues, por e paqartë mbetet mënyra e administrimit. Burime pranë Myftinisë së Tiranës bëjnë me dije se në krye do të jetë Myftiu Gazmend Teqja, por do të ketë edhe përfaqësues nga qeveria turke.
Hapja e xhamisë plotëson mozaikun e godinave të rëndësishme fetare në Shqipëri, nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, katedralja katolike Shën Pali dhe Katedralja Ortodokse Ngjallja e Krishtit, çka thekson diversitetin dhe tolerancën fetare që karakterizon vendin tonë.