Xhaferi: Shqiptari në një post të rëndësishëm, nuk është punë e pamundur!

Kontestet zgjidhen vetëm kur për to flitet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa doreza, këtë për gazetën “Politika” nga Beogradi e deklaroi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi. Ai u dërgoi këshillë liderëve nga rajoni që të shfrytëzojnë mekanizëm të dialogut të hapur, madje edhe pa ndërmjetësues.

“Ne si shtet rrugën tonë të përparimit e bëjmë me dialog të hapur, pasi këtë mësim e kemi mësuar nga kontesti shumëvjeçar me Greqinë. marrëdhëniet e mira fqinjësore janë argumenti dhe kontributi më i fuqishëm, të cilin mund ta japim për zhvillim dhe përparim të rajonit me përkrahje e bashkësisë ndërkombëtare, tha Xhaferi.

Ai theksoi se edhe se Maqedonia e Veriut është shtet sovran, i pavarur, e cila në Kuvend e ka miratuar Deklaratën për njohjen e Republikës së Kosovës, gjë që do ta respektojë edhe kryetari i ardhshëm i Kuvendit.

Duke folur për atë se partia e tij Bashkimi Demokratik për Integrim e ka fituar postin e kryetarit të Kuvendit, Xhaferi tha se ka qenë i vetëdijshëm se ka pasur skepticizëm dhe druarje te qytetarët, por e ka dëshmuar se shqiptari në një post të rëndësishëm nuk është punë e pamundur.

“Gjatë tërë mandatit asnjëherë nuk jam udhëhequr me interesa politike të partisë sime. Kam qenë kryetar i të gjithë deputetëve dhe kam komunikuar drejtpërdrejtë me secilin prej tyre, para ose pas kamerës. Duke marrë parasysh kontekstin në të cilin jam zgjedhur në këtë pozitë, pas krizës jashtëzakonisht të rëndë dhe bipolarizimit të vendit tonë, e duke ardhur nga një parti politike shqiptare, për mua ndoshta për një nuancë ka qenë me lehtë të bashkëpunoj me të gjithë drejtpërdrejtë”, tha Xhaferi

Sipas tij, rezultat i kësaj është se niveli i dialogut konstruktiv dhe kultura e debatimit është ngritur në nivel të lartë – të gjithë, edhe pushteti edhe opozita, në mënyrë konstruktive kanë marrë pjesë në punën e Kuvendit, gjë që u regjistrua në raportin e Komisionit evropian për përparimin e vendit.

Siç thotë, kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në marrëdhëniet e relaksuara mes dy bashkësive më të mëdha etnike në vend.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 12 prill, janë shpallur pasi liderët e partive politike, për shkak se Maqedonisë së Veriut nuk i është dhënë datë për fillim të negociatave me BE-në, në takim te presidenti i shtetit, kanë vendosur ta kthejnë mandatin dhe sërish të kërkojnë legjitimitet nga populli, për rrugën të cilën vendi i tyre duhet ta ndjek pas zgjedhjeve”, përkujton Xhaferi.