Xhaferi refuzon kërkesën e VMRO-së, s’mund të formohet Komision për zj*arrin në spitalin modular

Antonio Milloshoski u ankua se është refuzuar kërkesa e tyre për formimin e Komisionit anketues për përcaktimin e përgjegjësisë për zj*arrin në spitalin modular ku humbën jetë 14 persona. Ai gishtin e drejtoi drejt shumicës parlamentare dhe thotë se ajo nuk dëshiron të zbulohet se kush ka përgjegjësi.

“Me keqardhje duam të konstatojmë se morëm informacion jozyrtar se shumica parlamentare e refuzon propozim-vendimin për formimin e Komisionit anketues për vërtetimin e fakteve dhe mangësive gjatë ndërtimit dhe dorëzim-pranimit të spitalit modular në Tetovë. Shumica parlamentare nuk do që ta zbardhë këtë rast dhe nuk do që të marrin përgjigje se kush ka përgjegjësi politike dhe penale”, tha Milloshoski.

Për formimin e Komisionit anketues është edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
“Në lidhje me këtë u prononcua edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i cili informoi se kërkesa është refuzuar për shkak se në të nuk qëndron emri kushtetues”, bëri të ditur Sela.

“Propozim vendimi i parashtruar për themelimin e komisionit anketues për përcaktimin e fakteve dhe përgjegjësisë në spitalin modular Kovid Qendra Tetovë nga deputetët e VMRO-DPMNE nuk është në përputhje me Amendamentin XXXIII të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ju kthehet si e parregullt. E njëjta të harmonizohet brenda afatit 15 ditësh”, njoftoi Xhaferi.

Në të njëjtën kohë koordinatori i LSDM, Jovan Mitrevski, u ankua se opozita ka bllokuar rreth 40 ligje mes tyre edhe Ligji për marrëdhënie pune me të cilin parashihet që e diela të jetë ditë jo pune dhe i cili duhet të hyjë në fuqi nga 1 tetori. Ka edhe ligjet të cilat janë të bllokuara pothuajse një vit.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së e pengojnë ligjin për shlyerjen e shkallës së interesit dhe riprogramimin e borxheve dhe shpenzimeve të ndërmarrjeve publike. Ky ligj ka hyrë në procedurë parlamentare që nga 01.10.2020, saktësisht para 11 muajve. Në Komisionin për punë dhe politikë sociale, VMRO-DPMNE-ja i pengon ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune me të cilat e diela bëhet ditë jo pune për 92% të të punësuarve”, tha Mitrevski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e anuloi seancën e fundit të Kuvendit e cila do të mbahet pas zgjedhjeve, me arsyetim që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit për qëllime parazgjedhore.