Xhaferi: Nuk ka kthim prapa nga integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot pasdite është mbajtur pritje solemne me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë. Në ceremoni morën pjesë kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministra në Qeveri, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të bashkësive fetare, ish-kryetarët e Kuvendit Trajko Veljanovski dhe Tito Petkovski, Avokati i Popullit. Naser Ziberi dhe figura të tjera të jetës publike.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se beson se tek të gjithë ne ka forcë, vullnet, vendosmëri dhe vizion se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne kemi një shtet të përbashkët si trashëgimi dhe të gjithë jemi përgjegjës për të, shtoi Xhaferi, duke theksuar se vetëm kështu do të vazhdojë ëndrra e të parëve tanë. Xhaferi ka theksuar se procesi i integrimeve evropiane nuk ka alternativë apo zëvendësim dhe ne kemi ende hapin e fundit – sepse nuk ka kthim prapa.

Ky është vendi prej ku para tridhjetenjë viti, kolegët tanë deputetë e vunë në letër dhe në jetë vullnetin e qytetarëve për shtet të pavarur, sovran me subjektivitet juridik të pranuar dhe anëtar i barabartë i bashkësisë së popujve. Edhe atëherë, siç është edhe tani, Kushtetuta – akti më i rëndësishëm ligjvënës ishte udhërrëfyesi ynë i cili e determinon rrugën nëpër të cilën do të lëvizim për të siguruar përparimin, zhvillimin dhe sigurinë e shtetit. Në të janë përcaktuar edhe qëllimet strategjike rreth të cilave jemi bashkuar gjithmonë dhe sinqerisht besoj se ashtu do të jetë edhe kësaj radhe. Sepse, procesi i eurointegrimit nuk ka alternativë, nuk ka zëvendësim dhe na mbetet edhe hapi i fundit, për shkak se kthim prapa – nuk ka!

Të nderuar,
Mund të rikthehemi në të kaluarën dhe ti shohim nëpër prizmin e ndryshëm ngjarjet si edhe mënyrën se si i kemi menaxhuar ato në çastet e caktuara. Mund të ketë edhe hamendje rreth asaj nëse kemi gabuar diku ose po kemi mundur të veprojmë ndryshe? Por përsëri, ajo që sot jemi tubuar këtu në shënimin e kësaj dite historike për vendin, flet vetvetiu se jemi në rrugën e vërtetë. Respektivisht, pas periudhave të shumta kritike nëpër të cilat kaloi vendi ynë, sot jemi anëtare e plotfuqishme e Aleancës së NATO-s. Kjo nuk do të thotë vetëm se e kemi përmbushur njërin nga qëllimet strategjike moti të nënvizuar, por është konfirmim i qartë se premtimi i dhënë ndaj qytetarëve është përmbushur. Dhe, më e rëndësishmja, kjo do të thotë ardhmëri e sigurt dhe integritet territorial për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjumë i qetë për Ju, të nderuar qytetarë, dhe kjo doemos ta pranojmë, në këtë kohë lufte në Ukrainë është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Mos e gënjejmë veten, na pret një periudhë e vështirë në çdo aspekt. Ekonomik, energjetik, shëndetësor, bile edhe të sigurisë, sepse konfliktet mund të përhapen dhe zgjerohen shumë lehtë. Dhe prandaj, jostabiliteti politik dhe tensionimi është gjëja që na duhet më së paku për momentin në shtet. Të demonstrojmë pjekuri, përgjegjësi, ndërgjegje dhe vetëdije të lartë dhe ta vëmë interesin e qytetarëve dhe shtetit mbi interesat personale dhe partiake. Të jemi politikisht të mençur, të qëndrojmë fortë pas vendimeve tani më të marra me kredibilitet plotësues ndërkombëtar dhe ta kuptojmë seriozitetin e situatës.

Askush nuk guxon të luajë me perspektivën e sigurt të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ta ruajmë, ta ndërtojmë, zhvillojmë dhe kontribuojmë për demokratizimin e saj akoma më të madh, për konsolidimin institucional dhe etablimin akoma më të fortë ndërkombëtar, secili në sferën e vet të veprimit. Kjo do të jetë në favor edhe të të rinjve tanë sytë e të cilëve janë drejtuar vetëm për jashtë. Të vendosim sistem të vlerave që do të jetë garanci e mjaftueshme se secili prej tyre do të mund të përmbushë pritjet e veta, ëndrrat e veta dhe shpresat për të ardhmen.

Shoqëri në të cilën të gjithë ne, tani dhe në të ardhme, do të ndjehemi të barabartë, të respektuar, të njëjtë para ligjit dhe drejtësisë. Respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut si e drejtë e natyrshme dhe universale të jetë pa precedent dhe pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale, partiake apo cilëndo përkatësi tjetër.
Besoj se në të gjithë ne ka fuqi, vullnet, vendosmëri dhe vizion për atë se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kemi një shtet të përbashkët në amanet dhe të gjithë jemi përgjegjës për të. Vetëm kështu do të jetojë edhe më tej ëndrra e të parëve tanë.