Xhaferi: Ministrat e ASH-së të prononcohen nëse ndjejnë se i takojnë ose jo kësaj qeverie!

Kryeministri Talat Xhaferi gjatë një interviste për agjencinë e Lajmeve MIA ka deklaruar se po ndjek zhvillimet në ASH, duke potencuar se do të veprojë konform kompetencave të tij.

Sipas Kryeministrit Xhaferi, ministrat e ASH-së, duhet që sipas linjës institucionale zyrtarisht të prononcohen në situatën kur ekzistojnë qëndrime të kundërta dhe nëse ndjejnë se I përkasin kësaj përbërjeje qeveritare ose jo.

“Në parim, e dini, që moti kam thënë, nuk jam politikan Facebooku. Duke marrë parasysh se nuk jam Kryeministër që udhëhiqet me deklarata nëpër Facebook, jam Kryeministër I kësaj qeverie që e kam propozuar përbërjen. Në mënyrë adekuate duhet të prononcohen zyrtarisht anëtarët e Qeverisë në situatë kur kemi qëndrime të kundërta, të prononcohen përmes linjës institucionale – kanë ndjenjë përkatësie për këtë përbërje ose jo. Nuk mund të udhëhiqem sipas asaj që po ndodh nëpër televizione dhe në press-konferenca”, tha Talat Xhaferi.

Ndryshe, ASH-ja në Qeverinë teknike ka tre Ministra. Ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhitin, të Drejtësisë – Krenar Llogën dhe Ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.

Pas zhvillimeve të fundit në ASH, Mexhiti dhe Aliu mbështetën Kryetarin e partisë, Arben Taravarin, kurse Krenar Lloga Kryetarin e Kuvendit të ASH-së, Ziadin Selën./tvklan.mk