Xhaferi: “Kuvendit të RMV-së i duhet Rregullore e re”

Është e qartë se Kuvendit i duhet një Rregullore e re, sepse kushdo që të punojë me Rregulloren aktuale, do ta ketë problem, deklaroi sot kryeparlamentari, Talat Xhaferi në takimin me gazetarët. Xhaferi ka bërë të ditur se për nesër ka thirrur mbledhjen e grupeve parlamentare në lidhje me procesin “Zhan Mone”, i cili mbulon pikërisht punën e Rregullores së Punës. Një takim i tillë sa i përket Rregullores nuk është mbajtur për një kohë të gjatë, për të cilën kishte vërejtje edhe në Raportin e Komisionit Evropian.

Në takimin me gazetarët ai tha se deputetët në kuadër të procesit “Zhan Mone” duhet të rishikojnë nenet e Rregullores duke filluar nga neni 132 e tutje. Sipas tij, një Rregullore e tillë duhet të miratohet në procedurë të rregullt, në dy lexime dhe me diskutim amendamentues. Xhaferi konsideron se me Rregulloren e re duhet të zgjidhen shumë paqartësi dhe probleme që dalin nga dokumenti aktual i punës së Kuvendit, por duhet të bëhen edhe kufizime, si në miratimin e ligjeve të caktuara, ashtu edhe në zgjedhjet e zyrtarëve të caktuar.

Lidhur me Raportin e KE-së dhe vërejtjet e Bankës Botërore për kohëzgjatjen e miratimit të disa ligjeve, kryetari i Kuvendit ritheksoi se raporti pasqyron punën e Kuvendit dhe se edhe po të donte nuk mund të ndikonte në marrëdhëniet mes aktorëve politikë, duke theksuar për një bisedë janë të nevojshëm dy persona.