Xhaferi: “Kuvendi nuk është pronë private”

Në mungesë të kuorumit kreu i kuvendit Talat Xhaferi u detyrua të pezullojë punimet e seancës së 79-të, me arsyetimin se nuk ka kushte për vendimmarrje, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 53 deputetë nga gjithsej 85 të nënshkruar.

“Për faktin që deputetët janë të nënshkruar dhe kanë vendosur të mos hynë në sallë parlamenti nuk ka kushte për punë të mund të vendosë për çështjet që ka për të vendosur në fillim të kësaj seancë. Kjo flet qartë për raportin e të zgjedhurve tuaj kundrejt institucionit tuaj parlamentit. Dikush këtë e mendon si pronë të veten dhe me pronën e vetë njeriu mund të sillet si të dojë dhe kur do për fat të keq kjo nuk është pronë e jonë ne si deputet që jemi këtu, është prona e juaj ju si qytetarë që na keni zgjedhë për të na sjellë këtu.”, tha kryetari i kuvendit Talat Xhaferi.

Xhaferi tha se do të ishte korrekte që ata që nuk duan të vijnë në Kuvend dhe të jenë pjesë e punës së këtij institucioni, të paraqesin kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit.

“Nëse dikush prej deputetëve mendon se seancat do të konvokohen me shantazhe me kushtëzime me ultimatum e ka gabim kushdoqoftë ai i shumicës apo i opozitës. Kush nuk do të rri në shumicë duhet të jetë korrekt dhe para qytetarëve me dal dhe të thotë se prej sot e tutje nuk është shumicë dhe le të shkojë e të bëjë shumicë me këtë dojë. Nëse ata nuk propozojnë unë do të propozoj seancë për shpërbërjen e parlamentit të dihet qartë çka është qëllimi përfundimtarë i cilit do prej 120 deputetëve.”, tha Xhaferi.

Xhaferi i ftoi kryetarët e subjekteve të përfaqësuara parlamentit për të sqaruar gjendjen lidhur me sigurimin e shumicës, pasi siç tha ai kjo situatë është e pa tolerueshme.