Bartësi i listës së BDI-së në njësinë e pestë zgjedhore Talat Xhaferi sot ishte për vizitë në Kërçovë, i shoqëruar nga Avni Rustemi kryetar i forumit të të rinjve dhe kryetarja e degës së BDI-së, Ardita Dani.
Xhaferi u tha anëtarëve të rinj dhe mbështetësve të kësaj partie këtë pasdite në sheshin e qytetit se mundësia që Maqedonia e Veriut të ketë një Kryeministër shqiptar është reale, sepse në periudhën e fundit shqiptarët janë emëruar në poste të larta drejtuese në vend.
“Shembulli më i mirë është kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili në udhëheqjen e tij trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kërçovës. Si kryetar i Kuvendit, kam dëshmuar me punën time se i trajtoj në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët në vend, si dhe idenë e Ali Ahmetit për postin e Kryeministrit shqiptar, jam i bindur që ju në Kërçovë si një model për bashkëjetesë do ta mbështesni. Duke u parë ju në një numër të tillë pavarësisht pandemisë, unë jam edhe më i bindur për fitoren tonë më 15 korrik”, tha Xhaferi. Ai iu drejtua qytetarëve edhe në gjuhën shqipe edhe maqedonase.