Xhaferi i reagoi Azirit: Nuk janë teke të mija, por janë procedura të Kuvendit

“Nuk është përgjegjësia e imja dhe tendenca që gjithë atë bllokim me amendamente për dy muaj, të hidhet në teke të kryetarit të Parlamentit. Jo, nuk janë teke të mija, por janë procedura”.

Kështu mes tjerash deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi derisa ka komentuar deklaratën e përfaqësuesit të koaliconit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Elmi Aziri ku thotë se kryetari ka pasur njoftim se koalicioni do të marrë pjesë në seancën e 32-të.

“Nuk pati kuorum dhe nuk kisha hapësirë për të vazhduar me seancën e 36-të. Të nesërmen, të premten ishte paralajmëruar takim mes përfaqësuesve të LSDM-së dhe të Aleancës dhe Alternativës për marrëveshjen e mundshme për ligjin për shtetësi. Dhe normalisht, duhej t’i jepja hapësirë asaj marrëveshje që të di se si do të jetë fundi i asaj marrëveshje, sepse edhe dinamika e miratimit të ligjeve të pakos së 5, për faktin se amendamente kishin edhe ata, qëndrimi i tyre ishte se pa pasur marrëveshje, nuk i tërheqin amendamentet. Gjatë ditës së premte pata komunikuar përfaqësues të koalicionit Alternativë-Aleancë, për të ditur se a janë të gatshëm për të marrë pjesë në seancën e 32-të dhe pas asaj të vazhdojë seanca e 36-të. Për faktin se ishin në takim, prita deri në fund të orarit të punës që të di a kanë marrëveshje apo jo. Brenda ditës së premte nuk dhanë përgjigje dhe të nesërmen e konvokoj seancën e 32-të dhe 36-të për ditën e djeshme. Pas konvokimit të këtyre seancave, përfaqësuesi i këtij koalicioni nëpërmjet konferencës për shtyp deklaron se kanë gatishmëri për të marrë pjesë në këto seanca. Por, konferenca për shtyp nuk është garancë për pjesëmarrje. Procedura parlamentare kanë tjetër rregull, sikur të kishin bërë me shkrim se do të merrnin pjesë, atëherë do të ishte tjetër seancës. Unë nuk mund të bazohem në konferenca për shtyp për punën e Parlamentit”, tha Xhaferi.