Washington Post: Trump menjëherë pas zgjedhjeve në SHBA i ka telefonuar Putinit dhe i ka dërguar një mesazh

Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin të enjten, në telefonatën e parë mes të dyve që nga fitorja e Trump në zgjedhje, mëson ekskluzivisht Washington Post nga disa persona që pretendohet se janë të njohur me çështjen.

Gjatë bisedës, të cilën Trump e zhvilloi nga rezidenca e tij në Florida, presidenti i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë e këshilloi presidentin rus që të mos e përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe e kujtoi për praninë e shtuar ushtarake të Uashingtonit në Evropë, deklaroi një person i njohur me thirrjen, i cili, ashtu si të tjerët që folën për gazetën prestigjioze, foli në kushte anonimiteti, shkruan Washington Post dhe transmeton Jutarnji.hr.

Trump dhe Putin diskutuan për qëllimin e paqes në kontinentin evropian, ku Trump shprehu interes për kontakte të mëtejshme për të biseduar për një “zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë,” thonë burimet.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump deklaroi se do ta përfundojë luftën në Ukrainë brenda një dite, megjithatë nuk zbuloi detaje se si kishte në plan ta realizonte këtë. Megjithatë, në mënyrë private, ai kishte sinjalizuar se do të mbështeste një marrëveshje sipas së cilës Rusia do të mbante një pjesë të territorit të pushtuar, dhe gjatë bisedës e përmendi shkurtimisht këtë çështje, thonë burimet.

Telefonata, e cila nuk ishte publikuar më parë, vjen në një kohë pasigurie të përgjithshme për mënyrën se si Trump do ta “rifillojë” rrjetën diplomatike globale të aleatëve dhe kundërshtarëve të Amerikës pas fitores së tij. Të enjten, Trump deklaroi për NBC se ka biseduar me rreth 70 liderë botërorë pas zgjedhjeve, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe në telefonatën e tij ka qenë gjithashtu i pranishëm Elon Musk.

Qeveria ukrainase është informuar për telefonatën e Putinit dhe nuk ka kundërshtuar bisedimet, thanë dy burime të njohura me këtë çështje. Autoritetet ukrainase prej kohësh e kishin kuptuar se Trump do të bashkëpunonte me Putinin për një zgjidhje diplomatike për Ukrainën, shtojnë ato.

Fillimisht, Moska reagoi me ftohtësi ndaj fitores së Trump, dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për gazetarët se Putin nuk planifikonte t’i telefononte presidentit të ardhshëm të “një shteti armiqësor që është drejtpërdrejt dhe tërthorazi i përfshirë në luftën kundër vendit tonë” dhe t’i dërgonte urime.

Megjithatë, të enjten, Putin gjithsesi i dërgoi publikisht urimet Trump për fitoren e tij, duke lavdëruar përgjigjen e tij “mashkullore” ndaj përpjekjes për atentat në Pensilvani dhe duke thënë se është “gati” të bisedojë me të.