Të dashur studentë, kolegë dhe bashkëpunëtorë,
Nëpërmjet kësaj kartoline dua t’jua përcjell urimet më të përzemërta për një Vit të Ri, më të begatë dhe më të mbarë se viti që po e lëmë pas.
Uroj që bashkërisht t’i mobilizojmë fuqitë dhe t’i kanalizojmë energjitë për t’i tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara nesh!
Uroj që kurrë të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit, atomizimit të qenies, atrofizimit dhe zemërimit edhe atëherë kur pesha e zhgënjimit duket më e madhe se vetë jeta!
E në raste të tilla, t’ia zgjasim dorën tjetrit, të bëhemi kurban dhe komardare shpëtimi për këdo që ka nevojë, sepse siç e ka thënë edhe Shenjtorja jonë Nënë Tereza: “Kushdo, që në udhëtimin e jetës ka ndezur qoftë edhe një pishtar në orën e errët të dikujt, nuk ka jetuar kot!”
Të ruajmë dimensionin etik, sidomos kur rrethohemi me njerëz eklektikë, sakaq të ruajmë edhe gjakftohtësinë – atë që stoikët e quanin ataraxia.
Ta kultivojmë vetëdijen (synesis) sepse sa më e lartë vetëdija – aq më afër Zotit.
Të largohemi nga ligjërimet dhe diskurset e rënduara me dogma, nga parashikimet e pabazuara dhe konspiracioni, sepse njeriu luhatet dhe eklipsohet nga ky determinizëm.
Në këtë botë shumëngjyrëshe dhe heterogjene nuk ka një të vërtetë superiore, por ka bashkëjetesë vlerash. Sa më i vetëdijshëm, aq më i hapur ndaj tjetrit, sepse “jemi një, jemi bijtë e Zotit”, siç thoshte Nënë Tereza.
Të mos dehemi nga mashtrimet finoke dhe suksesi i çastit, që shpesh, në rrethanat e jetës, rastis të jetë edhe aksidental dhe të mos e harrojmë Senekën e urtë që thotë se “kush qëndron lartë, duhet ta ulë nivelin e krenarisë”.
Uroj që ta kuptojmë sa më parë rëndësinë e ‘të përbashkëtës’, të mos e lejojmë që e vërteta, dija dhe e drejta të përmbytet nga nënshtrimi, pasiviteti dhe dorëzimi, sepse proceset s’kanë njohur kurrë protagonistë pa një trumë të madhe që i shkon pas idealit!
Gjithçka që kemi sot ishte ëndërr para 30 vjetëve, ndërkaq sot, 30 vjet më pas, e kemi atë që s’do ta kishim parashikuar as në skenarin më të bukur – Universitetin.
A posteriori duhet të jemi të vetëdijshëm se në histori nuk ekzistojnë kthesa të menjëhershme dhe koha nuk ndahet me thikë, por me kapituj.
Kapitulli ynë aktual kërkon fuqi të madhe dhe dëshirë për triumf, shumë punë dhe energji për ëndrrën tonë të përbashkët dhe cakun tonë – Bashkimin Evropian, kurse në mungesë të këtij kapitulli jemi munduar të servojmë vlerat dhe infrastrukturën këtu në vendin tonë të divergjencave dhe kundërthënieve.
T’i mbrojmë vlerat tona kombëtare, t’i respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë dhe t’u ofrojmë atyre çdo mundësi që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë këtu!
I motivuar nga bindja se “GURI RËNDË PESHON NË VEND TË VET” bëj çmos që studentët e sidomos ekselentët ta gjejnë veten këtu.
Uroj që ta rikthejmë vëmendjen te bibliotekat, libraritë, kinematë, teatrot dhe aktivitetet sportive dhe sa më pak te vendet e argëtimit të shfrenuar – si një fenomen i postmodernizmit!
Të mos lejojmë që njerëzit e vlerave të lihen në periferi të mendimit, në skajin më të pazakontë, si dhe të vetmuar në qëndrimet e tyre intelektuale, siç ndodh rëndom, sepse nuk kemi ardhur në këtë botë për të thyer rekorde se kush do të qëndroj më gjatë neutral, fakt që ma kujton thënien e Dantes se “vendet më përvëluese në Ferr u takojnë atyre, që në kohë krizash të mëdha morale, përkujdesen për neutralitetin e tyre.”
Uroj që jetët dhe e ardhmja jonë të stoliset me dije, njohuri, me më shumë VEPRA dhe me më pak FJALË!
Gëzuar Vitin e Ri 2024!
. .