Vullnet Ameti: “Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe, gëzuar festat e nëntorit”


Shkruan Vullnet Ameti:

Të nderuar miq,
Me rastin e 113- vjetorit të Kongresit të Manastirit, në emër të Universitetit të Tetovës kam nderin t’Jua uroj këtë datë historike që paraqet njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë, në të cilën u bë unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Falë tubimit të dijetarëve shqiptarë, më 22 Nëntor 1908, dhe vizionit të tyre, sot kemi një formë të unifikuar e të qartë të gjuhës sonë, gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Kongresi i Manastirit ishte një kuvend mbarëkombëtar, i cili në gjirin e vet mblodhi figurat më eminente të Rilindjes tonë kombëtare si: Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan veten dhe e shkrinë pasurinë e tyre për unifikimin e gjuhës shqipe dhe avancimin e çështjes kombëtare.

Ata ia bënë me dije mbarë botës se shqiptarët, edhe pse të përçarë dhe të copëtuar si mos më keq, kanë një korpus të hapur vlerash: gjuhën e përbashkët, kulturën e njëjtë, zakonet, doket, ritet e njëjta dhe se asgjë nuk kishin të përbashkët me turqit, grekët apo sllavët.

Ne përkulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 113-të.
Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe, gëzuar festat e nëntorit….
Rektori
Prof. Dr. Vullnet Ameti