Vulinin e kap paniku: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është kërcënim ushtarak për Serbinë

Ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin, ka bërë një deklaratë në stilin e presidentit rus Vladimir Putin duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është kërcënim ushtarak për Serbinë. Njëjtë kishte deklaruar edhe Vladimir Putin për Ukrainën para se të fillonte agresionin e tij ushtarak.

Vulin thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO përveç që kërcënon Serbinë nënkupton edhe anulimin e rezolutës 1244 dhe Marrëveshjen ushtarake të Kumanovës.

“Kosova s’është shtet, s’ka ushtri, është problem politik për të paktën 4 shtete të NATO-s dhe s’do të ketë kapacitete ushtarake për një kohë të gjatë. Prandaj pse është e rëndësishme të bëhet anëtare e NATO-s pa procedura dhe përmbushje të kushteve? Anëtarësimi i Kosovës në paktin e NATO-s është kërcënim ushtarak për Serbinë dhe asgjë tjetër. Duke e anëtarësuar Kosovën në aleancën ushtarake të NATO-s anulohen Rezoluta 1244, shfuqizohet Marrëveshja e Kumanovës dhe të gjitha garancitë e OKB-së, por gjithashtu obligon të gjithë anëtarët e NATO-s që ta mbrojnë integritetin territorial të anëtarit të ri. A dyshon dikush që në këtë rast Kurti do të ngurronte të sulmonte serbët veçanërisht në veri dhe të provokonte konflikte derisa Serbia të detyrohej të mbronte popullin e saj”, ka thënë Vulin.
Pretekstin e njëjtë për ta nisur agresionin e tij në Ukrainë e ka përdorur presidenti rus Putin, duke deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO rrezikon Rusinë dhe do të ishte arsye që Rusia të ndërhynte për t’i mbrojtur rusët në Ukrainë.