Vulin: Shaip “shiptari” nuk mundet të na mëson si flasin serbët


Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ka vazhduar me avazin e vjetër kur flet për shqiptarët.

Ai ka thënë se fjala “shiptar” nuk është ofenduese, dhe se është sinonim i fjalës “albanci” (term ky zyrtar që i referohet shqiptarëve në gjuhën serbe), ndërsa e ka këshilluar deputetin shqiptar në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, që të ndalojë së mësuari serbët se si të flasin, ka raportuar agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
Kamberi dje në një seancë të kuvendit iu drejtua ligjvënësve të pranishëm në gjuhën shqipe. Ai e qortoi ministrin Vulin për përdorim të termit pezhorativ për shqiptarët, “shiptar”.

Ndërsa në reagimin e sotëm, Vulini ka thënë gjithashtu se e ka pritur sot me padurim Kamberin në seancë të Kuvendit për t’i thënë ato që kishte, por tha se ai nuk u paraqit. Vulini tha se të gjithë kanë të drejtë të flasin në gjuhën e tyre dhe se ai kurrë nuk do t’ua mohonte këtë “bashkëvendësve shiptar”.
“Shiptari ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij. Nuk është korrekte që na e pamundësoi përkthimin, por kjo flet për të”, tha Vulini.

Ai shtoi se nuk e kupton ku është problemi që një popull të quhet ashtu siç janë quajtur gjyshërit e stërgjyshërit e tij, teksa thotë se “është e vështirë të gjendet ndonjë serb që nuk thotë shiptar, siç është e vështirë të gjesh shiptarë që nuk thotë ‘shiptar’”.

Vulini thotë se në shekullin e 20-të, “shiptarët tri herë e kanë ndërruar emrin e tyre”, dhe se pas rënies së Perandorisë Osmane, sipas tij, ata thanë se më nuk janë “arnautë”, por “shiptarë” dhe se vendi i tyre është “Shqipëria”.

“Edhe letërsia dhe gramatika e tyre e ka ndjekur këtë ndryshim. Askund nuk shkruan ne arnautët, por shiptarët. Serbët e kanë marrë këtë fjalë nga fjalori i tyre, pa përkthim. Nëse e ndryshoni emrin e shtetit dhe të popullit në gramatikën dhe letërsinë tuaj, dhe filloni t’i drejtohen njëri-tjetrit me versionin anglisht të vendit tuaj, atëherë ndoshta edhe serbët përfundimisht do të fillojnë të ju quajnë kështu”, tha Vulini.

Ai tha se termi ‘shiptar’ është sinonim për “albanci” dhe shtoi se këtu nuk ka as urrejtje e as ofendim, “por se është turp që Kamberi të vendosë se si të flasin serbët”.