Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur të enjten në mëngjes, më 15 qershor, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUNT-it.
Vuçiq ka shkruar në Instagram se ka kërkuar nga ata që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që kryeministri i Kosovës Albin Kurti “të mos nisë një luftë të re në Ballkan”.
Një ditë më parë presidenti i Serbisë akuzoi Kurtin se me çdo kusht dëshiron të “shkaktojë luftë dhe konflikte”.
Vuçiq u takua me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe Gjermaninë dhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, shkruan REL/RFE.
Ky është takimi i dytë i Presidentit të Serbisë me përfaqësues të BE-së dhe QUINT-it brenda dy ditësh. Një ditë më parë ai tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit që ka zhvilluar me ta.
“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Takimet u zhvilluan për shkak të tensioneve të shtuara mes Kosovës dhe Serbisë në ditët e fundit e fundit.
Më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Të nesërmen, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.