Vuçiqi prezanton 7 kërkesa për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të kënaqshme për serbët, për “problemin e Kosovës”.

Ne do të mund t’i sulmonim të gjithë dhe t’u themi se kemi zgjidhje për problemin e Kosovës, por s’mund të ketë asnjë zgjidhje të kënaqshme për serbët”, ka thënë ai në një fjalimin drejtuar popullit, e të cilin e pati paralajmëruar ditë më parë.

Ndërkohë, siç raporton Radio Evropa e Lirë, para konferencës mediave u është shpërndarë një dokument në të cilin paraqiten kërkesat e Serbisë. E ato janë “heqja e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Siç raportohet, kjo është cilësuar si “parakusht i domosdoshëm për përparim të kuptimshëm”, në procesin e dialogut.

Shtatë kërkesat e Serbisë

Sipas dokumentit, Serbia kërkon:

Shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.

Tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.

Tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.

Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës

Kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Përveç kërkesave, sipas dokumentit, thuhet se Kuvendi i Serbisë do ta miratojë një ligj brenda 45 ditëve për ta shpallur “krahinën autonome të Kosovës si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

Po ashtu është paralajmëruar që pranë kufirit me Kosovën do të hapen zyra ku serbët e veriut mund të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore e administrative për qytetarët.

Sipas Vuçiqit, që nga Marrëveshja e Brukselit ka pasur “përjashtim të qetë dhe të madh” të serbëve nga Kosova sepse “zhdukja e serbëve është garancia e vetme se Kosova do të jetë e lirë”.

“Në periudhën në vazhdim, mund të presim vetëm lajme të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet po vijnë”, ka thënë ai.