Vuçiqi merr detyra nga shërbimet sekrete ruse


“Në asnjë mënyrë nuk duhet të arrihet marrëveshja me Kosovën, duhet të ndalen protestat në Beograd që financohen nga NATO dhe disa serbë opozitarë duhet të arrestohen”, thuhet ndër të tjera në kërkesën që i ka arritur presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga shërbimet sekrete ruse në prag të vizitës së Putinit në Beograd më 17 janar.

Këto të dhëna kanë ardhur në redaksinë tonë nga një diplomat i një shteti anëtar i Grupit të Vishegradit që vepron në Beograd. Kërkesa ka ardhur me charter nga Moska dhe jo përmes Ambasadës së Rusisë, në të cilën siç duket Putini nuk ka shumë besim, për shkak që siç raportuan mediat ndërkombëtare, në shumë shtete, Kremlini po i heq nga detyra disa punonjës diplomatikë (siç është rasti i ambasadorit rus në Libi).

“Marrëveshja eventuale me Kosovën është kundër interesit të Federatës Ruse. Ajo e afron Serbinë me Perëndimin dhe NATO-n. Nëse Serbia i bindet NATO-s për ta arritur këtë marrëveshje, atëherë Serbia do të bindet që në të ardhmen e afërt të anëtarësohet edhe në NATO. Ne e përcjellim në vazhdimësi operimin ushtarak të Serbisë që e bën në bashkëpunim me NATO-n, i cili është shumë më i madh sesa me BRICS-in (aleancë ushtarake në mes të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut)”, thuhet në pjesën e parë të kërkesës së shërbimeve sekrete ruse që e ka marrë Vuçiqi.

Sipas diplomatit të shtetit anëtar të Grupit të Vishegradit në Beograd, Rusia është përpjekur viteve të fundit ta joshë Serbinë me furnizim me armatim të rëndë. “Rusia ia ka dalë që t’i shesë armatim Serbisë, ndoshta me çmim jo shumë të shtrenjtë, por të vjetër. Kështu janë blerë aeroplanët të tipit MIG, të cilët megjithatë janë të vjetër. Kjo përbën shqetësim për vet mënyrën sesi Rusia përfiton nga taksat e serbëve”, ka thënë më tej ky diplomat.

Pjesa e dytë e kërkesës flet për protestat që po mbahen tash e sa kohë në Beograd, tashmë të njohura me emrin “1 nga 5 milionë”, e të cilat përkundër motit të lig, secilën herë po bëhen më masive. Sipas inteligjencës ruse, këto protesta financohen nga NATO dhe përbëjnë shqetësim për Vladimir Putinin.

Ato mund ta largojnë nga pushteti Vuçiqin dhe nga kjo rrjedhimisht Rusia humb shpresën se mund ta mbajë Serbinë si aleat të saj. “Në anën tjetër, asnjëherë më parë ndikimi rus në Serbi nuk ka qenë më i vogël, sepse Vuçiqi duket se po lëviz drejt Perëndimit”, ka thënë burimi ynë.

Kërkesa e tretë është shumë shqetësuese dhe ka të bëjë me arrestimin dhe montimin e akuzave ndaj opozitës serbe. “Vuk Jeremiqit duhet t’i shpallen aktakuza për tradhti kombëtare dhe përfshirje në kontrabandë me armë gjatë kohës sa ka qenë ministër i punëve të jashtme të Serbisë”.

Faktorizimi secilën herë e më i madh i elementit prorus në Qeverinë e Serbisë ka paraqitur pengesë për rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, por arrestimi eventual i liderëve të opozitës është i papranueshëm dhe do ta kthente Serbinë në humnerë. Për pasojë, lëvizjet në Ballkan mund të ishin të paparashikueshme, kurse kriza më e madhe do të paraqitej në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Malin e Zi, – ka vlerësuar diplomati që vepron në Beograd.

“Arrestimi i Jeremiqit do të vazhdonte me presionin edhe ndaj pjesës tjetër të opozitës serbe jo vetëm në Serbi, por edhe gjithandej ku pushteti i Beogradit ka ndikim, veçmas në Kosovë. Tash bëhet 1 vit që kur në rrethana ende të pasqaruara u vra Oliver Ivanoviqi, i cili ka qenë zëri kritik më i fuqishëm i serbëve të Kosovës. Tendenca për të bërë presion në opozitën serbe në Kosovë është alarmante dhe kjo ka ndezur alarmin tek ambasadat perëndimore në Beograd. Vuçiqi mendon se është i amnistuar për torturat dhe kërcënimet që po ia bën opozitës serbe në Kosovë, e të cilët nuk janë në Listën Serbe. Ne kemi marrë informacion edhe nga institucionet e Kosovës për panikun e serbëve që e kanë nga Beogradi dhe kërcënimet që i marrin nga qyteti ku jam i angazhuar”, përfundoi diplomati ndërkombëtar.

Kujtojmë se që nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, të cilën dyshohet se e ka porositur vet Vuçiqi, serbët e Kosovës në vazhdimësi i janë nënshtruar një presioni të madh. Brenda pak muajsh, një numër shumë i madh i serbëve që shërbenin në Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë braktisur këtë institucion, i cili në dhjetor zyrtarisht mori kompetencat e ushtrisë.

Gjithashtu, brenda një kohe shumë të shkurtër, aktivistë të partisë së vetme parlamentare serbe në Kosovë jashtë Listës Serbe, duke filluar nga kryetari i saj Slobodan Petroviqi, u ndaluan për biseda informative nga shërbimi sekret i Serbisë në kufirin Kosovë-Serbi në Merdar.