Vuçiqi kujton takimin e parë me Ramën: Ishim si armiqë, tani s’brengosemi për ato gjëra

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet në Shkup mes tij, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kujtoi takimin e tij të parë me kryeministrin shqiptar, ndërsa tha se ishin si dy armiqë, raporton Gazeta Express.

Vuçiq tha se të dy e kishin ofenduar njëri-tjetrin për të përfituar politikisht.
“E mbaj në mend takimin e parë me Edin. Ishim në pozita të dy armiqëve kur njëri i shkoi tjetrit dhe gjetëm fjalë të mjaftueshme që ta ofendonim njëri-tjetrin për të fituar pikë politike në fushatë të brendshme. Por tani më nuk brengosemi për gjëra të tilla. Po mendojmë për ardhmërinë e përbashkët, për rezultatet e mundshme dhe kjo është”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se me nismën e bashkëpunimit rajonal, të njohur deri tani si “mini-Schengen”, njerëzit do të ndiheshin më të mirëseardhur dhe më të sigurt kur vizitojnë shtetin tjetër.

Presidenti serb tha se qytetarë të Serbisë po e vizitojnë Shqipërinë dhe po ndjehen mirë në bregdetin shqiptar.
“Njerëzit e kuptojnë rëndësinë e kuftijve të hapur. Njerëzit do të ndjehen më të mirëseardhur, kudo që të lëvizin në territoret tona. qoftë Ohër, Prespë, Shkup, kudo. Njerëzit do ta ndjejnë këtë. Por edhe sot, serbët të cilët e kanë vizituar Shqipërinë dhe janë në bregdetin shqiptar ndjehen mirë dhe ndjehen edhe më të sigurt pas këtij takimi. Këto janë mesazhet që duhet t’ua dërgojmë qytetarëve”, u shpreh Vuçiq.

Ai foli sërish në mënyrë indirekte për mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në këtë forum, duke thënë se i vjen keq.
“Me të vërtetë mendoni se duhet t’i përgjigjem dikujt nga rajoni i cili nuk ka dashur të na bashkangjitur? Jo. Prandaj është pak.. na vjen keq nga njëra anë. Por, e dini si është? Nëse dëshironi të na bashkangjiteni, mirë; nëse jo, atëherë prapë mirë” deklaroi Vuçiq.

Në fund të vitit 2014, kryeministri shqiptar, Edi Rama në vizitën e tij në Beograd kishte folur kryesisht për Kosovën, duke theksuar se është realitet rajonal dhe botëror.
Deklaratën e Ramës s’e kishte pritur aspak mirë presidenti serb, duke i hequr kufjet nga veshët në mënyrë demontrative në momentin kur Rama kishte deklaruar se Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm.
“Nuk kam pritur provokim nga zoti Rama që e përmend Kosovën dhe nuk e di çfarë lidhjeje ka Kosova me zotin Rama, më vjen keq që e ka ngritur këtë çështje, për të cilën nuk jemi marrë vesh”, shprehej atëherë Aleksandar Vuçiq.