Vuçiq: Ushtria serbe nuk do të futet në Kosovë, paqja është e nevojshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri ka komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë.
Sipas tij, Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, sepse me marrëveshjen e Kumanovës dhe vendimet pas saj, si dhe hapjen e vendkalimeve, “ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”.
“Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme. Ne presim që NATO të reagojë, ne jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë”, citohet të ketë thënë Aleksandar Vuçiq.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas bisedës telefonike me emisarin special të BE-së për dialogun me Serbinë, Josep Borrellin dhe sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me zhvillimet në Veri të Kosovës ka shkruar në Twitter se dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje për de-përshkallëzimin e situatës në veri.

Kurse sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, ka theksuar se është qenësore që Prishtina dhe Beogradi të rikthehen në dialog.
“Kam biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për nevojën e ç’tensionimit të situatës në veri të Kosovës. Është qenësore për të dyja Beogradin dhe Prishtinën të përmbahen dhe t’i rikthehen dialogut. Mandati i NATO-s dhe i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg.

Ndryshe, Kosova më 16 shtator ka vendosur reciprocitet për targat e automjeteve nga Serbia, pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit më 15 shtator.
Si rezultat, të gjitha automjetet me targa të Serbisë duhet t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme.