Vuçiq tregon kush e ndali ndarjen e Kosovës

Një shtet i fuqishëm evropian ka kërkuar nga Kosova që ta vendos taksën, me qëllimin që Serbia të largohet nga dialogu, i cili në ato momente po shkonte drejt një kompromisi që Serbia ta “marr” Veriun e Kosovës dhe disa komuna të lindjes në Kosovë, kështu është shprehur mbrëmë, Aleksandar Vucic në një intervistë per mediat serbe.

Kjo intervistë ka nxitur reagime në Kosovë. Analisti dhe shkritari, Veton Surroi thotë se, kjo është një konfirmim i presidentit të Serbisë se ishte krejtësisht afër realizimi i ndarjes së Kosovës.
“Tash del se pos komunave të veriut ishin në lojë edhe ato të lindjes në Kosovë.
Është sikur ta shohësh një thriller që përshkruan çmontimin e një bombe”, ka theksuar Surroi.
Në anën tjetër, Halimi Matoshi, ish-këshilltar i kryeministrit Haradinaj thotë se, Vucic po vajton, pasi që i dështoi ndarja e Veriut dhe Anamoravës.

“Ankimi plot deshpërim i Aleksandar Vučićit se i dështoi ndarja e Kosovës, për shkak të tarifës 100 për qindshit e cila bëri Serbinë ta shmang dialogun me Kosovën, është drama e cila u luajt për dy vjet në kurriz të Ramush Haradinajt dhe postit të tij.
Kryeministri Haradinaj pagoi faturën, por i dekonspiroi planet ogurzeza të triumviratit ballkanik për copëtimin e Kosovës.
Tarifa e mbajtur, duke ecë në maje shpate, pa i lënduar raportet me ShBAnë dhe fuqitë europiane, e delegjitimoi ndarjen dhe e riktheu përfshirjën amerikane në kontestin Kosovë-Serbi.

Kjo është rezistencë historike e Ramushit, tjerat janë rutinë qeverisëse!
Kosova e 17 shkurtit, si entitet juridik-politik dhe subjekt i të drejtës ndērkombëtare, e kaloi sfidën e shpërbërjes.
Republika e Kosovës është projekt i përhershëm në kufijt ekzistues”, është shprehur Matoshi. Ai madje ka lënë të kuptohet se taksa është mbeshtetur nga Britania e Madhe dhe Gjermania.