Vuçiq: S’mund ta pranojmë pavarësinë e as anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi sonte në Bruksel se letra që ka marrë në Beograd më 21 tetor, gjatë vizitës së “pesëshes së madhe” perëndimore, është një bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve në të ardhmen.

Sipas tij, letra ka të bëjë ekskluzivisht me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk mund të flas për detaje, sepse nuk jemi marrë vesh të flasim për detaje. Siç e shihni, ne i jemi përmbajtur shumë saktë dhe nuk ka rrjedhur askund asnjë detaj”, tha Vuçiq.

Vuçiq deklaroi se në takimet e sotme në Bruksel janë diskutuar të gjitha temat kyçe duke nisur nga de-përshkallëzimi e deri te zbatimi i marrëveshjeve që ose janë nënshkruar ose për të cilat janë rënë dakord në të kaluarën.

“Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Në këto qëndrime, shtoi ai, Beogradi tha se është i gatshëm të përmbushë gjithçka që është rënë dakord.

Letra e 21 tetorit është një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen, tha Vuçiq.

Sa i përket mundësisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit, Vuçiq theksoi se askush në Bruksel “nuk ka përmendur sanksione ndaj Serbisë”.

Kam dëgjuar se i ka përmendur dikush tjetër. Asnjëherë nuk kam thënë që të vendosen sanksione ndaj Prishtinës apo dikujt tjetër duhet vendosur sanksione. Kur vendosen sanksionet, ju hyni në një atmosferë të keqe”, tha Vuçiq, raportojnë mediat serbe.