Vuçiq: “Shpresoj, por nuk jam i sigurt se do të ketë zgjidhje për Maqedoninë e Veriut”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se shpreson, por nuk është i sigurt se do të gjendet zgjidhje për heqjen e vetos bullgare dhe zhbllokim të eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.
“Bisedova sot në mëngjes me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe shpresoj, por nuk jam i sigurt”, tha Vuçiq në deklaratë për gazetarët në Bruksel para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor. I pyetur nëse për të është i mundur bilateralizimi i procesit të inkuadrimit në BE siç kërkon Bullgaria, Vuçiq u përgjigj se e njejta i është bërë Beogradit me Prishtinën me kapitullin 35.

“Nuk mund të them se zotëri Kovaçevski është i lumtur, do të shohim se çka do të ndodhë”, shtoi Vuçiq.
Për raportin e Beogradit ndaj Shkupit, Vuçiq tha se Maqedonia e Veriut për Serbinë është vend mik dhe vëllazëror.
“Gjithçka që ndjeni ju në Shkup, ndjejmë edhe ne në Beograd. ne nuk presim asgjë nga ju. Presim t’i zhvillojmë marrëdhëniet vëllazërore dhe miqësore dhe besoj se çdoherë edhe në rrugën evropiane edhe në të gjitha rrugët e tjera do të jemi së bashku”, shtoi Vuçiq.