Vuçiq: Prishtina nuk mund të lëvizë në Trepçë pa lejen e NATO’s

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Prishtina zyrtare nuk mund të lëvizë në Trepçë pa lejen e KFOR-it dhe NATO-s.

Ai në një intervistë për gazetën italiane “Republika” është pyetur në lidhje me “situatën e tensionuar me Prishtinën për shkak të minierës së Trepçës” dhe “nëse ekziston një rrezik i konfliktit”.

Vuçiq me këtë rast ka thënë se ka diskutuar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

“Unë i thashë atij se ne e vlerësojmë punën e KFOR-it – kanë mbrojtur serbët në Kosovë. Ne presim që të vazhdojë kështu. Prishtina nuk mund të lëvizë në Trepçë pa lejen e KFOR-it dhe NATO-s”.

“Shpresoj se nuk do të rrezikojë paqen. Para rrezikut nuk do të kemi tjetër zgjidhje përveç se të mbrojmë njerëzit tanë. Por, ne shpresojmë se KFOR-i, në të cilin unë kam besim, do të zgjidhë cilindo problem dhe se Prishtina do të jetë racionale”, përfundoi Vuçiq.