Vuçiq: Nesër na presin diskutime shumë të vështira

“Nesër na presin diskutime shumë të vështira”. Kështu deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët, pas takimit me Stoltenberg, Vuçiq ka falënderuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s që ka dashur të dëgjojë qëndrimin e Serbisë, duke shtuar se “është biseduar për gjithçka që po ndodh në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë theksoi se “duan të shmangin çdo mundësi përshkallëzimi apo konflikti”.

Ai insistoi se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe do të mbetet e tillë. Ai ka thënë se Ushtria e Serbisë e as Policia nuk janë futur në asnjë moment brenda kufijve të Kosovës.

“Serbia është një vend neutral ushtarakisht dhe do të mbetet i tillë. Historia jonë nuk është e lehtë, por ne duam të forcojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n dhe të shmangim përshkallëzimin e konfliktit. Mendojmë se nuk kemi shkaktuar asnjë provokim, por e kuptoj se ne nga Ballkani jemi ngopur me të gjithë në Bruksel”, tha Vuçiq.

Të hënën, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur agjendën e takimit të 18 gushtit mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.