Vuçiq nervozohet me Kryeministrin e Kosovës, thotë se po jep deklarata të marra për Asociacionin

Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq i ka quajtur “të marra” deklaratat e kryeministrit Avdullah Hoti se Kosova do ta implementojë marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pasi Serbia ta njeh Kosovën.
“Hoti dhe ndoshta edhe dikush tjetër mendon se të gjithë në Beograd janë idiotë dhe se një ide e llojit çfarë ka ndodhur ka ndodhur le të bëjmë një marrëveshje tjetër mund të kalojë” tha Vuçiq për B92, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq ka thënë se Kosova mendon se ka ndonjë forcë imagjinare që do të bëjë presion mbi Serbinë dhe se do të ndodhë kush e di se çfarë dhe të ndodhë njohja e Kosovës.
“Le ta harrojë atë. Është turp që askush nuk reagon të thotë se kjo është marrëzi” ka thënë presidenti serb.
Ai ka thënë se Kosova ka pasur një obligim nën Marrëveshjen e Brukselit për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe.

“Tani ata thonë çfarë ka ndodhur ka ndodhur ne jemi duke shkuar për një marrëveshje të re por që ne t’i njohim kurse ata ta formojnë Asociacionin. Vërtetë mendoni se të gjithë në Serbi janë idiotë. Apo mendon edhe dikush tjetër ashtu” tha Vuçiq. “Ja kam thënë edhe në fytyrë atij disa herë” shtoi ai.