Vuçiq: Kurtit i thash se je si Hegeli, “di gjithçka”, s’mund të ketë dy dialogje me Kosovën

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kryer një intervistë të gjatë me prestigjiozen “Foreign Policy”, ku ka folur kryesisht për takimin e fundit në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesit e lartë amerikanë dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

I pyetur në lidhje me hapat e radhës në bisedimet me Kosovës, Vuçiq shpreson që të largohet tarifa, dhe “në fakt kjo do largohet, për shkak të presionit amerikan. Përndryshe ajo kurrë nuk do largohej.”
Por me largimin e tarifave, Vuçiq nuk la të kuptohet se do pezullojë diplomacinë e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se “gjërat duhet të shkojnë ashtu siç ishte para se të vendosej tarifa.” Megjithatë në vend të një konflikti të ngrirë, është mirë të vijojë dialogu dhe të gjejmë një “fitore të vogël për të dyja palët”.

Në lidhje me kyçjen e Evropës në dialog, Vuçiq tha se është e rëndësishme, por në fakt nuk mund të kemi dy dialogje me Thaçin, “një në Uashington dhe një në Bruksel”.

Kurtit i thash se është si Hegeli
Më tutje Vuciq është ndalë edhe te kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin është takuar publikisht në Mynih.

“Kurti deshte të flasë jo vetëm kundër meje, por edhe kundër Thaçit. Unë i thash, “OKAY, ti je Hegeli, filozofi më i madh i botës. Ti di gjithçka.” Dhe këtu përfundoi tregimi. Asgjë e mirë, racionale, dhe asgjë shpresëdhënëse për procesin,” tha ai.

Në fund Vuçiq u akuzua për shkeljen e fjalës së lirë, që ai e kundërshtoi katërcipërisht, por edhe për akuzat që Serbia bashkëpunon me Rusinë dhe Kinën. Por, Vuçiq tha se për të mos blerë armë ruse, atëherë duhet që SHBA, Britania dhe Franca të na shesin armë pa kushte. Gjithashtu ai bëri me dije se rruga e Serbisë në BE është e pakthyeshme dhe se 40 për qind e shkëmbimeve tregtare të vendit të tij bëhen me Gjermaninë (paramendo me BE!).