Vuçiq: Kurti ma kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, kështu iu përgjigja


Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq pas takimit që ka pasur me kryeministrin Kurti ka thënë se ky i fundit i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiq tha se Kurti e ka pyetur se kur do ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Ai më tha se ka ardhur të më pyeste se kur do ta njoh pavarësinë e Kosovës, përgjigja ime ishte kurrë, më pas ai shpërtheu”, tha Vuçiq.

Në anën tjetër Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak tha se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq nuk ishte i lehtë.
“Nuk ishte takim i lehtë por është e rëndësishme që ky takim ndodhi. Dy liderët treguan qartë se çfarë duan, dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër për dy shtetet pa normalizim të marrëdhënieve. Të dy janë të angazhuar për të punuar në normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut”, tha Lajçak.

Diplomati sllovak që është i dërguar special i BE-së për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi tha se BE-ja pret që Kurti dhe Vuçiq të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së.
“BE-ja ka pritshmëri të lartë nga dy liderët që të kapërcejnë të kaluarën dhe të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane”, tha Lajçak duke konfirmuar se takimi tjetër do të ndodhë në fund të muajit korrik.