Vuçiq: Kisha të drejtë kur thashë se Biden s’do të jetë i favorshëm për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka folur sot pas takimit të djeshëm në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku morën pjesë, ish-sekretarja Madeleine Albriht, kongresmeni, Eliot Engel, dhe eksperti për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer.

Vuçiq ka thënë se ka pasur të drejtë kur ka dhënë pikëpamjen e tij që administrata e Joe Biden nuk do të jetë e favorshme për Serbinë.
“Po mendoj se tashmë është e qartë që kisha të drejtë kur fola për pikëpamjet e administratës së Joe Biden se nuk do të jenë në favor të Serbisë. Shpresoj që Administrata të ketë qëndrim të ndryshëm nga ajo se çfarë u prezantua në Dhomën e Përfaqësueseve. Ne duhet të kemi kujdes, dhe të jemi të vetëdijshëm se këta njerëz janë të rëndësishëm”, ka thënë kreu i shtetit serb, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq gjithashtu ka folur edhe për qëndrimin e Raportueses së Parlamentit Evropian, Viloa von-Cramon, e cila ka njoftuar se PE-ja do t’iu kërkojë pesë vendeve anëtare njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne do të përballemi me presionin më të madh të mundshëm, kur vije puna për njohjen e Kosovës. Kurrë se kam fshehur. Shumë në Serbi janë të lumtur për këtë, sepse e shohin si diçka kundër meje”, ka shtuar tutje presidenti serb.

Ai gjithashtu ka thënë se s’do të flasë keq për Madeleine Albright.
“Unë pres presion të madh kur vjen puna te Kosova. Do të luftojmë për të vërtetën, do t’ua themi njerëzve të vërtetën. S’do të them fjalë të këqija për Engelin, Albrightin, Serwerin. Le të flasin për mua. Është puna jonë të mbrojmë interesin dhe të bëhemi të sjellshëm”, ka theksuar tutje.
Vuçiq ka thënë se nëse si president i Serbisë pa përkrahjen e Qeverisë do të nënshkruante njohjen e pavarësisë së Kosovës atëherë do të merrte çmimin Nobel për Paqe dhe se do të ishte demokrati më i madh në botë