Vuçiq fton për vaksinim në Serbi, Filipçe këtë e sheh si gjest të fqinjësisë së mirë

Akt të një fqinjësie të mirë e vlerëson Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka kërkuar nga Qeveria serbe që qytetarët tanë të shkojnë për imunizim në Serbi, e madje vetë të përzgjedhin se cilën vaksinë duan ta pranojnë kundër koronavirusit.

“Nuk kemi marrëveshje për këto punë, megjithatë na kanë dalë në ndihmë që në fillim të krizës, po edhe në periudhën në vijim. Mendoj se kjo vjen prej atëherë kur u hapën dyert që qytetarët tanë të mund të vaksinohen atje dhe ky është një gjest i fqinjësisë së mirë dhe realisht e vlerësojmë shumë”, deklaroi Filipçe.

Ministri Filipçe në mëngjes ka komunikuar me homologun e tij serb, siç pohon ai vetë, janë marrë vesh për të hapur një pikë vaksinimi më afër vendit tonë. Gjithashtu bëri të ditur se në ueb-faqe janë paraqitur diku një mijë qytetarë për rivaksinim në Serbi. Vendi për vaksinim do të jetë në njërën prej pikave aktuale, në Nish ose Vranjë, ku edhe ka kushte për ruajtjen e vaksinave.
“Sot bisedova me ministrin Lonçаr, nëse do të ketë mundësi që të organizohet një punkt më afër vendin tonë, për qytetarët tanë që duhet të rivaksinohen në datat mes 17-20 qershor. Të dy morëm përgjegjësi që ta organizojmë këtë proces, për detaje do të flasim ditëve në vijim, ndërsa kjo vjen si rezultat i raporteve të shkëlqyera ndër fqinjsore që kemi”, tha më tej ai.

Në vendin tonë janë pranuar gjithsej 369.661 vaksina anti-covid, ndërsa janë rivaksinuar 125.829 qytetarë. Brenda shtatë ditëve pritet të arrijnë 500 mijë dozat e vaksinës kineze “Sinovac”. Ndërkohë, ende nuk ka informacione për vaksinat ruse “Sputnik V”, ndërsa për vaksinat Pfizer, Filipçe, deklaroi se vendi do të vazhdojë të pranojë çdo të hënë mijëra doza nga kjo kompani.